Sulmi ndaj familjes shqiptare në Medvegjë, Kamberi kërkon monitorim të situatës së sigurisë nga ndërkombëtarët në Luginë
Foto: Zëri

Sulmi ndaj familjes shqiptare në Medvegjë, Kamberi kërkon monitorim të situatës së sigurisë nga ndërkombëtarët në Luginë

Aktuale October 01, 2023 - 22:24

Shtëpia e shqiptarit nga Medvegja, Ruhan Muharremi është sulmuar me gurë e mjete të forta.

Pas këtij akti, deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të ndjekë ngjarjet dhe të monitorojë situatën e sigurisë me kujdes, sidomos në Luginën e Preshevës, shkruan Zeri.info.

LEXO EDHE: 

Serbët sulmojnë me gurë e mjete të rënda shtëpinë e shqiptarit në Medvegjë [foto]

Kamberi po ashtu ka kërkuar që edhe autoritetet serbe të sigurisë të ndërhyjnë menjëherë për të ruajtur rendin dhe qetësinë në mënyrë që të sigurojnë se qytetarët shqiptarë në Medvegjë të mos ekspozohen ndaj abuzimeve dhe tmerreve të tilla.

Reagimi i plotë i Kamberit, pa ndërhyrje:

Partia për Veprim Demokratik dënon kategorikisht aktet e dhunës dhe frikësimit të familjes së Ruhan Muharremit në Medvegjë.

Një grup i panjohur ka kryer akte vandalizmi duke hedhur gurë dhe mjete të rënda në drejtim të shtëpisë së tyre.

Ne kërkojmë që autoritetet e sigurisë të ndërhyjnë menjëherë për të ruajtur rendin dhe qetësinë dhe për të siguruar që qytetarët shqiptarë në Medvegjë të mos jenë të ekspozuar ndaj abuzimeve dhe tmerreve të tilla.

Gjithashtu, ftojmë Bashkësinë ndërkombëtare të ndjekë ngjarjet dhe të monitorojë situatën e sigurisë me kujdes, sidomos në Luginën e Preshevës. /Zëri