Rama: KFOR-i të marrë nën kontroll veriun e Kosovës

Rama: KFOR-i të marrë nën kontroll veriun e Kosovës

Aktuale September 28, 2023 - 12:55

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha këtë të enjte se KFOR-i duhet të marrë nën kontroll veriun e Kosovës.

Sipas kreut të Qeverisë shqiptare, formati i dialogut në BE mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka më asgjë për t’i ofruar situatës. Prandaj sipas tij duhet ngritur përfaqësimi i BE-së dhe komunitetit euroatlantik në dialog.

“Nëse kohë përpara këtyre zhvillimeve kaq dramatike e kam thënë dhe kërkuar disa herë publikisht se formati i dialogut të normalizimit duhej ngritur në planin e një konference. Ndërsa përfaqësimi i BE dhe i komunitetit euroatlantik në dialog duhej ngritur edhe ai në nivelin më të lartë me Francën dhe Gjermaninë në Konferencë si bashkautore të këtij plani, sot besoj është e qartë që formati i Brukselit, nuk ka më asgjë për t’i ofruar paqes në këtë situatë të re. Kjo besoj minimalisht është e qartë.

Nga ana tjetër dua ta theksoj që gjërat mund të shkojnë larg dhe mund të shkojnë shpejt. Ndaj jo vetëm niveli i përfaqësimit të komunitetit euroatlantik duhet ngritur larg dhe duhet ngritur shpejt, por duhet pasur parasysh që kjo të bëhet se përndryshe bashkë me stokun e gjithë atyre marrëveshjeve përgjithësisht të pazbatuara, vonesa në hedhjen e këtij hapi mund të sjellë dhe një stok viktimash të një konflikti të armatosur Për të parandaluar këtë konflikt, KFOR duhet të marrë në kontroll veriun e Kosovës. Është një propozim që e kam bërë më parë, edhe në Samitin e NATO-s”, u shpreh Rama.

Po ashtu, kreu i Qeverisë komentoi edhe një postim të tij të disa muajve më parë se nëse KFOR-i kthehet në “krye të punës, atëherë lamtumirë për kushedi sa kohë dhe kontrollit formal të shtetit mbi krejt territorin dhe ta gëzojë një republikë të KFOR-it në veriun e Kosovës”.

Rama u përgjigj duke thënë: Nuk jemi akoma aty, por mund të shkojmë dhe aty, patjetër. E shikoni ju se çfarë ndodh, kjo është diçka që e thashë, nuk duhet ndonjë mençuri e veçantë. As nuk duhet ndonjë dhunti për të parë të ardhmen. Duhet vetëm përqendrim tek vija historike dhe tek vija e sjelljes së aktorëve në fushë për të kuptuar si mund të shkojnë gjërat. Akoma nuk jemi aty, por nëse sot nuk ka reagim, do shkojmë aty. Nuk ka ndryshe. Do shkojmë aty. Me Facebook dhe me kolltuk në klubet e natës mediatike mund të nisësh avionët, helikopterët, raketat dhe të shkosh ta shkatërrosh njëherë e mirë armikun. Në realitetin e gjeopolitikës dhe të ballafaqimit të sotëm punohet me strategji dhe punohet me mençuri. /tvklan.al