Qeveria ndan 50 mijë euro për familjen e policit të rënë, Afrim Bunjaku
Qeveria e Kosovës sot ka ndarë 50 mijë euro për familjen e heroit Afrim Bunjaku, që ra në krye të detyrës.
Kryeministri Kurti tha se kjo shumë ndahet për t’i dalë në ndihmë familjes së rreshterit.
“Në betejën e Kosovës për ligj dhe kushtetutshmëri aty e kishim Afrimin, ndërsa për familjen e tij sot dhe çdo ditë tjetër është e gjithë Kosova. Është obligim yni që kemi përballë vetëmohimit të Afrimit ne sadopak ta përmbushim me atë që kemi e mundemi për ata që ai la prapa, më të dashurit e tij, bashkëshorten Lumnijen, vajzën Arbenitën e djemtë Jetlumin e Fatlumin. Andaj sot do të aprovojmë vendimin për ndarjen prej 50 mijë eurove për t’i dalë në ndihmë familjes së Afrimit. Para veprës heroike të Afrimit çdoherë do të përkulemi me nder dhe atë do ta kemi gjithmonë në mendjet, zemrat e shpirtrat tanë”, tha Kurti.
Ndërsa, pasi propozoi ndarjen e mjeteve financiare, ministri i Financave Hekuran Murati tha se Qeveria çdoherë do të jetë pranë familjes Bunjaku.