Sarrazin përgëzon autoritetet për menaxhimin e kujdesshëm të situatës në veri
Kryeministri Albin Kurti, ka pritur sot në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, bashkë me ambasadorin gjerman në Kosovë, Jörn Rohde.
Temë qendrore e takimit ishte sulmi terrorist i djeshëm ndaj Policisë së Kosovës, nga i cili u vra në krye të detyrës, rreshteri, Afrim Bunjaku.
Në njoftim nga Qeveria, thuhet se Kurti e njoftoi Sarrazin me informacionet më të fundit në lidhje me sulmin e djeshëm dhe veprimet e institucioneve të sigurisë për garantimin e integritetit territorial, sigurisë, ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë.
“Emisari Sarrazin shprehu ngushëllimet e tij për familjen e të ndjerit dhe popullin e Kosovës, e dënoi sulmin e djeshëm duke e cilësuar atë si kriminal dhe terrorist mbi Policinë e Kosovës, dhe dha mbështetjen e Gjermanisë ndaj Kosovës”
“Ai gjithashtu e përgëzoi Kryeministrin për qasjen e matur dhe menaxhimin e kujdesshëm të situatës. Kryeministri falënderoi emisarin Sarrazin për vizitën e menjëhershme dhe për mbështetjen e Gjermanisë”, thuhet në komunikatën e Qeverisë. /Zëri