Kurti: Policia dje pamundësoi një skenar më të gjerë kriminal e terrorist

Kurti: Policia dje pamundësoi një skenar më të gjerë kriminal e terrorist

Aktuale September 25, 2023 - 13:22

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në mbledhjen komemorative për policin e vrarë Afrim Bunjaku. Kurti tha se dita e djeshme i ka mbledhur sot këtu për të nderuar veprën e Afrim Bunjakut, pjesëtarit të Policisë i rënë në krye të detyrës.

“Sot është ditë zie në Kosovë, e bashkë me pikëllimin dhe dhimbjen ndiejmë edhe krenari dhe besim për Afirimin dhe të gjithë policët e tjerë. Për policinë tonë, që me veprimet e saj profesionale dhe të guximshme dje e pamundësuan një skenar më të gjerë kriminal e terrorist”, tha Kurti.

Kryeministri shtoi se “Afrimi u vra në një sulm ndaj policisë së Kosovës dhe shtetit tonë”.

“Ky sulm u realizua nga një grup personash shumë të armatosur dhe të pajisur rëndë, të trajnuar profesionalisht dhe me plan dhe të përkrahur politikisht dhe të financuar materialisht dhe të mbështetur logjistikisht nga Serbia. Reagimi profesional i policisë sonë rezultoi me eliminimin e disa terroristëve, arrestimin e disa të tjerëve dhe neutralizimin e të gjithë grupit të tyre dhe konfiskimin e armatimit”, u shpreh Kurti.

Kryeministri shtoi se nga dje asgjë nuk mund të jetë njësoj.

“Faktet dolën në sytë tanë dhe në sytë e ndërkombëtarëve”, shtoi ai. /Telegrafi