Sulmuesit e arrestuar në veri mund të dënohen nga 10 vjet deri në burgim të përjetshëm, thotë avokati Jashari
Foto: Laura Hasani

Sulmuesit e arrestuar në veri mund të dënohen nga 10 vjet deri në burgim të përjetshëm, thotë avokati Jashari

Aktuale September 25, 2023 - 09:36

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se janë ndaluar gjashtë persona për sulmin ndaj Policisë. Ata dyshohen për katër vepra penale, pas sulmit në fshatin Banjskë të Zveçanit e njëra nga to është për vepra terroriste.

Avokati Arbër Jashari i tha Ekonomisë Online se veprat penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës janë veprat më të rënda që parashihen në Kodin Penal.

Ai ka sqaruar se legjislacioni ka paraparë dënime, nëse të arrestuarit shpallen fajtorë më së paku 10 vjet burgim e deri me burgim të përjetshëm.

“Veprat penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës janë prej veprave më të rënda penale që i ka paraparë legjislacioni ynë penal, janë ato që e hapin Kodin Penal dhe për to janë paraparë dënime shumë të rënda.

Personat që janë arrestuar po dyshohen për katër vepra penale, sulm ndaj rendit kushtetues, vepra të rënda penale kundër rendit kushtetues, përgatitja e veprave penale terroriste dhe vepra penale për armëmbajtje pa leje”.

“Te këto vepra të rënda kundër rendit kushtetues, legjislacioni ka paraparë dënime të cilat vepra rezulton me vdekjen e ndonjë personi siç ka ndodhur dje, atëherë personat përgjegjës nëse shpallen fajtorë do të dënohen ose mund të dënohet më së paku 10 vjet burgim e deri me burgim të përjetshëm”.

Po ashtu, Prokuroria ka thënë se nga aksioni i Policisë janë sekuestruar automjete të mbushura me sasi të konsiderueshme të armatimit të llojeve të ndryshme.

Të ndaluarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.