Lirohen nga akuza 37 të akuzuarit në rastin “Stenta 2”
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj 37 të akuzuarve në rastin e njohur si “Stenta 2”.
Të akuzuarit në rastin “Stenta 2” akuzoheshin për “Keqpërdorim të pozitës ose autoritetit zyrtar” dhe “Marrje ryshfeti”.
Sipas aktakuzës së PSKR-së, ekziston dyshimi i bazuar mirë se nga 1 janari 2011 e deri më 31 dhjetor 2015, duke vepruar në bashkëkryerje nga pozita e mjekëve në SHSKUK, kanë keqpërdorur pozitat dhe autoritetin e tyre zyrtar, në atë mënyrë që duke i tejkaluar kompetencat e tyre si anëtarë të komisioneve konziliare të Klinikës së Kardiologjisë, me dashje dhe dijeni ua kanë lëshuar letrat referuese për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore së paku 233 persona edhe pse të njëjtët i kishin kryer trajtimet mjekësore.
Sipas aktakuzës, një gjë e tillë ishte bërë që personave në fjalë t’ua mundësonin kompensimin e shpenzimeve nga Ministria e Shëndetësisë për trajtim mjekësor në institucione private edhe pse, siç thotë aktakuza, në bazë të Nenit 53 të Ligjit mbi Shëndetësinë, Nr. 2004/04, të 19 shkurtit 2014 dhe neneve 16 dhe 25 të Ligjit për Shëndetësinë Nr. 04/L-125 të 13 dhjetorit 2012, letrat referuese duhej t’u lëshohej pacientëve në momentin kur konstatohej se pacientët nuk kishin mundësi të trajtoheshin brenda sistemit publik shëndetësor.