Nisin aktivitetet e KE-së për anëtarësim të Kosovës, vijnë juristët e pastaj raportuesja
Lidhur me njoftimin se javën e ardhshme, në kuadër të procedurës për shqyrtimin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, Asambleja Parlamentare e kësaj organizate panevropiane (PSSE) do të dërgojë një delegacion juristësh eminentë në Kosovë. Ky delegacion, në përputhje me praktikën e vendosur, përgatit një raport për vlerësimin e përputhshmërisë së sistemit juridik të Kosovës me standardet e Këshillit të Evropës.
“Duke qenë se kjo është një vizitë teknike, asnjë program nuk do të bëhet publik. Ata pritet të takohen me një spektër të gjerë të bashkëbiseduesve – nga autoritetet, shoqëria civile, përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare…”, thonë PSSE-ja për portalin serb “Kosovoonline”.
Pas përfundimit të punës, ekipi ligjor nuk ka afat deri kur duhet të përgatisë raportin.
“Raporti do të dorëzohet në Byronë e PSSE-së dhe Byroja nuk ka caktuar afat deri kur duhet bërë”, thonë në PSSE.
Hapi i radhës, pas dorëzimit të raportit të juristëve në Byro, do të jetë që Kosovën ta vizitojë raportuesja për Kosovën në PSSE, Dora Bakoyannis, e cila është kryetare e delegacionit grek në këtë organ të Këshillit të Evropës.
“Nuk është përcaktuar ende data e vizitës së raportueses Bakoyannis. Sipas praktikës së vendosur, kjo vizitë bëhet vetëm pasi Byroja i bënë publike raportet e avokatëve eminentë”, pretendohet në PSSE.
Kosova më 12 maj 2022 zyrtarisht ka paraqitë kërkesën për anëtarësim të plotë në Këshillin e Evropës, ndërsa Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës ka vendosur më 24 prill të këtij viti të përcjellë këtë kërkesë për procedurë të mëtejshme Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Gjatë procesit të vendimmarrjes në Komitet, Serbia, Azerbajxhani, Gjeorgjia, Rumania, Qiproja, Spanja dhe Hungaria ishin kundër fillimit të procedurës së vendimmarrjes për kërkesën e Kosovës. Mirëpo Kosova ka pasur mbështetje nga 33 vende, duke përfshirë edhe nga shtetet e rajonit, Shqipëria, Sllovenia, Kroacia Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.