Vazhdon procesi gjyqësor ndaj Pjetër Shalës, Mahmuti dëshmitar i mbrojtjes

Vazhdon procesi gjyqësor ndaj Pjetër Shalës, Mahmuti dëshmitar i mbrojtjes

Aktuale September 20, 2023 - 09:24

Në Dhomat e Specializuara në Hagë vazhdon sot nga ora 09.30 procesi gjyqësor ndaj ish-pjesëtarit të UÇK-së, Pjetër Shala.

Veprimtari Bardhyl Mahmuti do të jetë dëshmitar i mbrojtjes në Hagë. Këtë lajm e ka konfirmuar vetë Mahmuti me anë të një postimi në “Facebook”.

“Me kërkesë të avokatëve z. Pjetër Shala, kam pranuar të jem dëshmitar i mbrojtjes në këtë proces gjyqësor”, shkroi Mahmuti.

Ai ka udhëtuar të hënën për në Hagë, kurse dëshmia e tij fillon ditën e mërkurë.

Gjykimi ndaj Shalës filloi më 21 shkurt 2023, ku i njëjti u deklarua i pafajshëm, ndërsa Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave paraqitën deklaratat hyrëse.

Në deklaratën e tij para trupit gjykues, Pjetër Shala, i akuzuar për krime lufte, ka deklaruar se ka luftuar kundër një makinerie policie ushtarake të një regjimi kriminal të Slobodan Millosheviqit, por kurrë kundër civilëve, raporton RTKlive.

Ndryshe, aktakuza kundër Shalës u konfirmua më 12 qershor 2020 dhe versioni i redaktuar u bë publik më 15 prill 2021.