Nxënësit shqiptarë të Idrizovës kërkojnë hapjen e paraleleve shqipe
Dëshira e fëmijëve të Idrizovës për të mësuar shqip edhe nga klasa e gjashtë e deri në atë nëntë ndërpritet në hyrje të shkollës fillore “Njegosh” të komunë Gazi Babë të Shkupit. Në këtë të fundit paralele të tilla nuk ekzistojnë, andaj protesta shihet si mundësia e fundit për të zgjidhur këtë problematikë. Në protestë dolën edhe fëmijët e tjerë shqiptarë të ciklit fillor për t’i dhënë mbështetje 13 fëmijëve të klasës së gjashtë që tashmë tre javë janë pa mësim.
“Unë jam klasa e gjashtë, kemi humbur shumë prej mësimit. Gjatë ditës mësoj nga librat e klasës së pestë që mos të harroj shkrimin e leximin”.
“Unë dua që të hapet paralelja që të mësoj shqip. E kam afër këtu shkollën dhe shpresoj të hapët”.
Prindërit përsëritën se asnjëherë nuk do të tërhiqen nga kërkesa për mësim shqip edhe për ciklin e lart fillor. Ata kujtojnë institucionet se nuk do të lejojnë të bëhet lojë me fatin e fëmijëve të tyre.
“Nxënësit e tonë e kanë vendin në këtë vend, në shkollën Njegosh. Nëse nuk ka vend, ja ku është oborri, ka vend të ndërtohet në oborr, e njëjta shkollë. A nëse nuk dëshirojnë me na pa si shqiptar ajo është tjetër gjë. Fillimisht apeloj ministrin, ndoshta ka aq ingerenca ndaj drejtorit të shkollës që të mund ta vazhdojnë shkollën këtu”.
“Apelojmë ministrin, kryetari I komunës nëse kanë mundësi të vijnë vet dhe të shohin sa klasa janë e si janë. Kjo është humbje shumë, gjynah për fëmijët që humbin prej tyre presim, ardhmëria jonë është te fëmijët tanë”.
Përveç protestave pranë shkollës fillore “Njegosh”, prindërit paralajmëruan protesta më të ashpra edhe në Shkup.
“Nëse është nevoja do të dalim edhe në Shkup, mi blloku rrugët se përse nuk na gjejnë rrugëdalje. Ku me dërgu këtë fëmijë në Shkup, shiko sa të vegjël janë, Ai nuk di në shtëpi mu kthy e jo më me dërgu në Shkup me mësu”.
Nga Ministria e Arsimit bën të ditur se pas takimit me kreun e Gazi Babës, Boban Stefkovski kërkuan që nxënësit e Idrizovës nuk duhet të humbin asnjë ditë nga mësimi dhe të gjendet zgjidhje e përkohshme deri në ndërtimin e shkollës së re në Idrizovë. Nga Komuna e Gazi Babës përsëritën se paralelja shqipe për klasë të gjashtë nuk mund të hapet për shkak se shkolla në fjalë nuk ka hapësirë të mjaftueshme për paralele shtesë. Komuna në fjalë, zgjidhjen e problemit e sheh në ndërtimin e një shkolle të re në Idrizovë dhe përkohësisht organizimin e transportit falas për në shkollën fillore të fshatit “Ognjancë” të komunës Petrovec. /Alsat