Deklarohet i pafajshëm roja i pyllit, akuzohet se i shkaktoi dëm APK-së mbi 30 mijë euro
Foto: Laura Hasani

Deklarohet i pafajshëm roja i pyllit, akuzohet se i shkaktoi dëm APK-së mbi 30 mijë euro

Aktuale September 19, 2023 - 16:34

I akuzuari Abedin Haradini, në seancën fillestare në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzën se në cilësin e rojës së pyllit ka keqpërdorë detyrën zyrtare, duke i shkaktuar Agjencisë Pyjore të Kosovës (APK) dëm në vlerë prej 30 mijë e 559 euro e 8 centë.

Një deklarim të tillë, i akuzuari Haradini e bëri të martën, pasi që u lexua aktakuza nga ana e prokurores Fetije Bajrami.

“Absolutisht jo”, tha i akuzuari pasi u pyet se a ndjehet fajtor lidhur me rastin.

Në këto rrethana, gjykatësi i rastit Mentor Hajraj e njoftoi të akuzuarin dhe mbrojtësin e tij, avokatin Rifat Bllata, se kanë të drejtë të paraqesin kundërshtimin e provave dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës, në afat prej 30 ditësh nga dita e sotme.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 6 korrik 2023, Abedin Haradini akuzohet se prej datës së pacaktuar deri më 21 shkurt 2023, në Drejtorinë për Ekonomi, Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural- Sektori i Pylltarisë, Komuna e Vushtrrisë, në terrenin Vesekovc-Bukogllavë, në cilësinë e rojes së pyllit, ka keqpërdorë detyrën zyrtare duke mos i pëmbushur detyrat e tij, me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie pasurore për vete apo personin tjetër, ashtu që nuk ka arritur t’i arsyetojë prerjet ilegale dhe dëmet pyjore.

Sipas aktakuzës, prerja e drunjve në mënyrë ilegale kishte arritur sasinë prej 52.77m3, duke i shkaktuar Agjencisë Pyjore të Kosovës dëm material në vlerë prej 7 mijë e 831 euro e 34 centë.

Aktakuza thotë se Hajdari prej datës së pacaktuar deri më 21 shkurt 2023, në Drejtorinë për Ekonomi, Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural- Sektori i Pylltarisë, Komuna e Vushtrrisë, në terrenin pyjor Sllakovc, i ngarkuar për mbrojtje të pyllit, në cilësinë e rojes së pyllit ka keqpëdorur detyrën zyrtare duke mos i përmbushur detyrat e tij zyrtare.

Aktakuza thotë se nuk kishte arritur t’i arsyetojë prerjet ilegale dhe dëmet pyjore, me ç’rast prerja e drunjve në menyrë ilegale kishte arritur sasinë prej 150.56m3, duke i shkaktuar Agjencisë Pyjore të Kosovës dëm material në vlerë prej 22 mijë e 728 euro e 46 centë, e në vlerë të përgjithshme, dëmi është 30 mijë e 559 euro e 8 centë.

Me këto veprime, sipas aktakuzës i akuzuari Haradini ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 77 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Sheënim: Personat e peërmendur neë keëteë artikull konsiderohen të pafajsheëm, peërvecë neëse nga gjykata veërtetohet se janë fajtoreë me vendim teë formeës seë prereë.