Dyshime se Telekomi i Serbisë u zgjerua kundërligjshëm në Kosovë
Në Autoritetin e Konkurrencës të Republikës së Kosovës po mbahet seancë dëgjimore ndaj ndërmarrjes MTS d.o.o., kompani simotër e operatorit shtetëror të telekomunikacionit të Serbisë.
Me këtë rast, Selajdin Beqa – u.d. e drejtorit të Autoritetit të Konkurrencës, deklaroi se kjo ndërmarrje ka kryer veprime në kundërshtim me Ligjin për mbrojtjen e konkurrencës, duke blerë operatorë të tjerë pa i njoftuar.
“Në rastin e ndërmarrjes MTS dhe të tjerëve kam autorizuar monitorimin e këtij sektori. Pas monitorimit të tregut, në bazë të gjetjeve komisioni ka nxjerr njoftimin. Fakt i pakontestueshëm është se MTS d.o.o. ka bërë veprime të jashtëligjshme, nuk ka përfillur obligimin për paraqitje të kërkesës për lejimin e përqendrimit. Arsyetimet e deritanishme të ndërmarrjes nuk e ndryshojnë gjendjen e konstatuar. MTS do të ketë mundësinë ligjore t’i kontestojë argumentet mbi të cilat jemi mbështetur”, shtoi ai raporton RTKlive.
“Autoriteti pas monitorimit në dyshimin e bazuar se ndërmarrja nuk ka vepruar në përputhje me ligjin për mbrojtjen e konkurrencës, pasi nuk ka ofruar kërkesën për lejimin e përqendrimit me rastin e blerjes së ndërmarrjeve në tregun e telekomunikimit dhe audioviziv, autoriteti ka nxjerr konkluzionin për fillimin e hetimit. Ndërmarrja ka realizuar blerje pa e dorëzuar njoftimin për lejimin e përqendrimit që është përcaktuar sipas ligjit. MTS brenda afatit ligjor i ka ofruar autoritetit vërejtjet e saj në lidhje me njoftimin e fakteve paraprake të përfshira në procedurë. Autoriteti konstaton gjendjen faktike në bazë të dhënave të mbledhura dhe ato të siguruara nga pala në procedurë. Ndërmarrja MTS kishte realizuar transaksione për blerjen e 100 për qind të sanksioneve në disa ndërmarrje”, tha drejtori i departamentit të Mbikëqyrjes së Tregut në Autoritetin e Konkurrencës, Shemsi Elezi.
Ndërkaq, nga kompania MTS d.o.o. kanë kërkuar të hidhen poshtë pretendimet e sekretariatit të Autoritetit të Konkurrencës.
Përfaqësues të kësaj kompanie thanë se e gjithë procedura e hetimit është zhvilluar në kundërshtim me ligjin.
“E gjithë procedura e hetimit dhe e vlerësimit të këtij përqendrimi është zhvilluar në kundërshtim me kriteret ligjore. Autoriteti duhet te hedh poshtë pretendimet e sekretariatit ta Autoritetit të Konkurrencës. Përfaqësuesit e sekretariatit thanë se ndërmarrja ka shkelur dispozitat e ligjit për mosparaqitje të kërkesës për përqendrim me blerjen e katër ndërmarrjeve në Kosovë. Mirëpo nuk pamë një elaborim se si kriteret e ligjit nuk janë plotësuar me këtë ligj. Edhe përkundër vërejtjeve tona nga dhjetori i vitit 2022, ne prapë nuk e kemi të qartë mbi çfarë baze sekretariati vendos në lidhje me kriteret e ligjit i cili kishte hyrë në fuqi në vitin 2022, për ndërmarrjet që janë blerë para se ky ligj të hyjë në fuqi. Transaksionet kanë ndodhur gjatë vitit 2019-2020-2021”, deklaroi Kushtrim Palushi, avokat, raporton RTKlive.