PSD-ja aksion para MSH-së, hedh letër higjienike e vendos foto për kushtet nëpër spitale
Partia Socialdemokrate ka mbajtur aksion simbolik para Ministrisë së Shëndetësisë.
Në oborrin e Ministrisë ata kanë hedhur letër higjienike e kanë vendosur fotografi, siç kanë thënë, për kushtet e këqija nëpër spitale.
Donjetë Demolli, nga kjo parti, tha se ministri ka zgjedhur të mos dalë nga zyra që të merret me problemet në shëndetësi, prandaj edhe ia kanë sjellë këto fotografi.
Sipas saj, gjendja në spitale është shqetësuese dhe se qytetarët ka rrezik të sëmuren e infektohen në vend se të shërohen.
Demolli sqaroi se ende nuk është gati tenderi për mirëmbajtjen e QKUK-së e spitaleve, raporton EO.
“Pasi ministri nuk po del nga zyra, kemi ardhur t’ia sjellim këto fotografi me fakte për gjendjen në spitalet në vend. Edhe me ftuar me pa gjendjen në terren, e kur te sheh gjendje nuk mundet pa ndërmarrë hapa. Gjendja është shqetësues e banale, aty ku qytetarët shkojnë me u shërua, ka mundësi me u sëmurë.
Ministri nuk e ka përgatitur tenderin për mirëmbajtjen e QKUK-së e spitaleve. Nëse infrastruktura në këtë institucione është e keqe, çka mund të presim. Ka radhë të gjata për intervenime, ka mungesë të barnave, ka mungesë të aparaturave. Ministri po punon që përmes udhëzime administrative t’i fuqizojë spitalet private, ku ka punuar më parë”.