Nëna e 3-vjeçarit: Djali ka probleme shëndetësore, edukatoret s’e ushqyen
Fitore Geci, nëna e 3-vjeçarit që u rrah nga edukatoret e çerdhes “Gëzimi Ynë” në Fushë-Kosovë, ka folur lidhur me rastin.
Ajo ka treguar se si në kopsht e kanë thirrur edukatoret për t’i treguar për problemet që i ka bërë djali i saj.
“Mësuesja Fitore më tha ‘hajde këtu se djali yt e ka ba namin’. Më erdhi shumë keq sepse mendova që e ka rrëzu dikon ose ka thy ndonjë gjë. I thashë ‘ju kërkoj falje’, por tha ‘jo ka dal e ka shkarravitë’. Unë i thashë ‘kem me ja ble mësues një çokollatë edhe me i thënë më fal, jam lazdru’ dhe i thashë ‘duhet me i përmbushë dënimet nëse t’i ka dhënë mësuesja’, por ky kishte marrë dënime brutale”, ka thënë Geci.
Ajo tutje ka treguar se djali i saj ka probleme shëndetësore dhe sipas saj edukatoret e kopshtit nuk e kanë ushqyer.
“Më ka thënë djali ‘nuk kam hangër bukë, nuk kam pi ujë qe 8 orë’. Fëmija im pa hangër, pa pi. Ka pi ujë, i kam përgatitur ushqimin në shtëpi. I thashë ‘le se të jep mami në shtëpi bukë’. Jam detyru mu ndal, i ka hangër dy hamburgera dhe e ka pi një shishe ujë. I thirra familjarët dhe u thashë qashtu po më thotë djali, por nuk jam e sigurt”, ka thënë nëna e 3-vjeçarit për Insajderin.
Sipas saj, fëmija në këtë kopsht është duke shkuar që nga 1 shtatori.