Komuna e Shtimes anulon ekskursionin për maturantë në Shqipëri
Komuna e Shtimes ka njoftuar se është anuluar ekskursioni për maturantët në Shqipëri, i cili ishte planifikuar të realizohej gjatë këtyre ditëve.
Sipas, drejtorisë komunale të arsimit në Shtime, arsyeja e anulimit ka të bëjë me kompaninë e cila nuk i është përmbajtur ofertës dhe kontratës së fituar.
“Me keqardhje njoftojmë maturantët dhe mësimdhënësit e dy shkollave të mesme për anulimin e ekskursionit të paraparë të mbahej në Shqipëri. Drejtoria Komunale e Arsimit në Shtime njofton se pas procesit të përzgjedhjes, kompania fituese nuk i është përmbajtur realizimit të ofertës me të cilën ka aplikuar bazuar në çmimin e paraqitur”, thuhet në njoftimin në “Facebook” të Komunës së Shtimes.
Sipas njoftimit të komunës së Shtimes, Drejtoria e Arsimit mbetet e përkushtuar që procesi i përzgjedhjes të jetë në tërësi i bazuar në kërkesat që i përgjigjen formularit sipas UA 02/2016.
“Ju kërkojmë falje gjithë nxënësve e mësimdhënësve dhe kërkojmë mirëkuptimin e tyre, pasi nuk mund të lejojmë që nxënësit të bartin papërgjegjësinë e ofertuesve”, ka përfunduar njoftimi.