(Jo)efikasiteti i dialogut në Bruksel
Jo-efikasiteti i dialogut të Brukselit, ka shtyrë njohësit e proceseve politike në Kosovë që të kërkojnë riformatizim të dialogut. Madje po vlerësojnë se nevojitet edhe një rol më aktiv i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë proces.
Si shumë prej takimeve paraprake në kryeqendrën evropiane, edhe takimi i fundit në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, përfundoi pa sukses.
E si rrjedhojë, të dielën emisari i Unionit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak ka paralajmëruar bisedime strategjike me partnerë ndërkombëtarë, për të përcaktuar hapat e ardhshëm të këtij procesi.
Në Kosovë, njohës të proceseve politike, po kërkojnë që ky proces dialogimi të riformatizohet.
“Nëse BE-ja dhe SHBA-të dëshirojnë që dialogu të marrë një epilog pozitiv, pra të themi deri në mars të vitit të ardhshëm, atëherë duhet që tash, apo javën e ardhshme të riformatizohet dialogu, t’i jepet një qasje tjetër sidomos i nivelit politik, që të mund të kemi një rezultat deri në mars të vitit të ardhshëm. ….Dialogu ka dështuar. Nëse plani franko – gjerman nuk ka një iniciativë të fuqishme, mund ta quajmë edhe si të përfunduar”, ka thënë profesori universitar, Dritëro Arifi.
Megjithatë, që dialogu të mund të marrë kthesë pozitive, po kërkohet edhe rol më aktiv i SHBA-së në këtë proces.
“Duket që negociatorët, Z.Borrell dhe Z.Lajçak janë të pafuqishëm për të luajtur rolin e tyre në krijimin e një lloj niveli të besueshmërisë në dialog……….. këta dy përfaqësues të Bashkimit Evropian e kanë të pamundur për ta koordinuar tutje dialogun në qoftë se nuk kanë ndonjë ndërhyrje të fuqishme të SHBA-së dhe partnerëve tjerë si Gjermania dhe Britania e madhe”, ka thënë njohësi i çështjeve politike, Tomor Avdia.
Takimi i fundit në Bruksel mes palës kosovare dhe asaj serbe ishte me 14 shtator.
Ky ishte takimi i tetë me radhë mes Kryeministrit kosovar Albin Kurti dhe Presidentit serb Aleksandar Vuçiq./teve1