Osmani falënderon presidentin e Kenias për njohjen e pasaportave të Kosovës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka zhvilluar një takim me presidentin e Kenias, William Ruto në kuadër të sesionit të 78-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara.
Osmani e ka falënderuar homologun Ruto pas vendimit të Kenias për njohjen e pasaportave të Republikës së Kosovës dhe në të njëjtën kohë ka shtruar nevojën e thellimit të marrëdhënieve diplomatike në të mirë të qytetarëve dhe shteteve.
“Mezi presim ndërmarrjen e hapave të përbashkët që do t`i afrojnë tutje vendet dhe popujt tanë”, ka theksuar Osmani.
Bëhet e ditur se në takim, ndër të tjera u diskutua edhe për mundësinë e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Kenias, si dhe nxitjen e shkëmbimeve tregtare dhe ekonomike.
“Presidentja Osmani në një pjesë të takimit foli edhe për përkushtimin e Kosovës për zhvillim të qëndrueshëm dhe mundësinë e nismave të përbashkëta në fusha të tilla si energjia e rinovueshme dhe ndryshimet klimatike”, thuhet ndër tjera. /Zëri