Perolli i PSD-së: Kurti ose është naiv ose mashtrues, besoj që kjo e dyta vlen

Perolli i PSD-së: Kurti ose është naiv ose mashtrues, besoj që kjo e dyta vlen

Aktuale September 18, 2023 - 18:04

Lisjan Perolli nga Partia Socialdemokrate (PSD), ka thënë se kryeministri Albin Kurti osë është “naiv” ose është “mashtrues”, pasi sipas tij, nuk e paska ditur që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është pika kryesore e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë.

Kjo pasi sipas Perollit, tash e dy vite Bashkësia Ndërkombëtare ka treguar që Asociacioni është pika cila duhet të implementohet urgjentisht.

“Dallimi i vetëm është që Kurti po dëshiron që Serbia të kryejë një pikë më përpara e Kosova më pas, ndërsa BE-ja po thotë që Asociacioni është primar siç ka qenë edhe më herët. Pra kjo nuk është diçka e re, këtu nuk ka ndodhë asgjë e re. I ka gati dy vite që e gjithë Bashkësia Ndërkombëtare ka tregu që Asociacioni është gjëja kryesore dhe duhet të implementohet urgjentisht. Pra Kurti ose qenka me të vërtetë naiv ose qenka me të vërtetë mashtrues, e unë besoj që kjo e dyta vlen, që nuk e paska ditë deri më sot që Asociacioni qenka pika kryesore e marrëveshjes”, tha Perolli në Tëvë1.

Teksa shtoi se “kur ta shohim në këtë spektër çfarë ka ndodhë sot, është një kryeministër dhe një zv.kryeministër që dalin dhe hudhin akuza dhe krijojnë konspiracione kinse të gjithë të tjerët janë kundër tyre e këta qenkan ata kreativët dhe konstruktivët siç po pretendojnë të jenë, edhe pse nuk janë, këta e kanë pranu këtë marrëveshje”.

Ndryshe, sa i përket takimit trepalësh, kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar se aty u përballë me një skenar të cilin sipas tij, Lajçak e kishte dizajnuar më parë.

Ai tha se propozimi i tij u kundërshtua në mënyrë të koordinuar nga Vuçiq dhe Lajçak.

“Në takimin trepalësh u ekspozova përballë një skenari të cilin Lajçak e kishte dizajnuar kohë më parë. Pasi propozova një plan të sekuencimit të marrëveshjes  nga Republika e Kosovës, Vuçiq dhe Lajçak reaguan me të njëjtin mendim dhe me të njëjtën shpërfillje të koordinuar. Te dytë thanë se ky plan është shumë jorealist dhe e vetmja rrugë përpara është zbatimi i pasekuencuar i pikës së statutit të Asociacionit”, tha Kurti.