Abdixhiku shpalos 100 projektet e “Rrugës së Re”: E ardhmja jonë, e ndritshme
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, do t’i shpalosë 100 projektet e zotimet më të mëdha të “Rrugës së Re”.
Abdixhiku, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, tha se këto projekte janë “të elaboruara në një program voluminoz të detajuar, i cili në plotni do të prezantohet në Konventën e madhe programore të Lidhjes Demokratike gjatë muajve tetor e nëntor të këtij viti”.
Postimi i plotë:
Gjatë ditës së sotme do t’i publikoj në dy pjesë të 100 projektet e zotimet e “Rrugës së Re”. Ato janë të elaboruara në një program voluminoz e të detajuar, i cili në plotni do të prezantohet në Konventën e madhe programore të Lidhjes Demokratike gjatë muajve tetor e nëntor të këtij viti.
Ju ftoj t’i lexoni ato. Të jepni mendimet tuaja për to. Të diskutojmë bashkërisht për to, e në raste dhe t’i pasurojmë ato. “Rruga e Re” fundja do të jetë një udhërrëfyes i gjallë me plotësime gjatë gjithë kohës.
Kam kaluar dy vjetët e fundit duke dëgjuar. “LDK ju dëgjon” ka qenë platforma e vetme politike në vend që ka zhvilluar komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarë. Kam mbledhur mbi 200 profesionistë të vendit me të cilët bashkërisht kemi ndërtuar një plan ambicioz për Republikën. Kam zhvilluar takime me media e gazetarë, shoqëri civile, profesorë universitarë e biznese që përbëjnë mbi 80% të ekonomisë sonë. Kam marrë mendimet e tyre; u kam shpalosur rrugën tonë përpara. Kam vizituar ndërmarrës të mëdhenj e familjarë, individë me arritje spektakulare, grupe përfaqësuese e vet punëtorë të palodhshëm të vendit tonë. Kam marrë më të mirën e tyre - dijet, pikëpamjet e vizionet që kanë.
Pas gjithë dëgjimit të bërë, është koha të flasim!
Dhe këto janë idetë tona.
Me bashkudhëtarët e Lidhjes - dhe jo vetëm - do të shpalosim secilin projekt në detaje. Do të hapim debate të gjëra në gjithë vendin. Do ta shpalosim të djathtën tonë si vlerë përparimtare e zhvillimore. Si antidot i zymtësisë së tanishme; si shërues i polarizimit përçarës; si shpërthim i ngufatjes në të shkuarën.
Ne duam të flasim për të ardhmen. E shkuara s’na kthehet më. S’kemi pse humbasim kohë. E ardhmja po na ikën përpara. Ne shohim një Kosovë më ndryshe. Ku urrejtja e brendshme zëvendësohet me unitet nacional. Ku akuzat, sharjet e ofendimet zëvendësohen me projekte të mëdha. Ku cinizmi zëvendësohet me ambicie e ëndrra që lehtësisht bëhen realitet. Duam të flasim për atdheun tonë si një vend që pasurohet siç dhe e meriton; me një shoqëri moderne e me një gjeneratë që e bën Kosovën të barabartë mes shteteve e kombeve evropiane.
E ardhmja jonë është e ndritshme.
“Rruga e Re” na shpie atje. Ne kemi gjetur rrugën përpara; është koha ta bëjmë të njëjtën së bashku.
Kjo është Pjesa e Parë e 100 projekteve tona.