Bislimi thotë se mediat ia shtrembëruan deklaratën: Kosova s’hoqi dorë nga njohja de fakto nga Serbia
Zëvendëskryeministri për Integrim Evropian dhe Dialog, Besnik Bislimi, tha se Qeveria nuk ka hequr dorë nga njohja de fakto nga Serbia, pasi sipas tij, këtë e mundëson Plani franko-gjerman.
Ai tha se fjala “lëshim” është lëshuar nga një media kosovare, e cila sipas tij financohet nga Serbia. Bislimi është pyetur nga gazetarët që të tregojë se cili është mediumi që ai thotë që paguhet nga Serbia për dezinformata.
Ai tha se “për mua media kosovare me financim nga Serbia janë ato media që regjistrohen në Kosovë, me pronarë nga Serbia”.
“Mandatin që ka Lajçaku është që negocioi marrëveshjen finale mes Kosovës dhe Serbisë. Ka qenë kërkesë e propozuesve që të ketë një ndërmjetës, pra për marrëveshje franko-gjermane, e cila Kosovës i ofron njohe de fakto, por që njohja de juro mbetet për më vonë.
Ky nuk është lëshim, fjala lëshim është përdorur qëllimisht nga një medie kosovare që është financuar nga Serbia. Jo që kemi hequr dorë nga marrëveshja finale. Kjo marrëveshje, franko-gjermane, është fazë e ndërmjetme drejt marrëveshjes finale. Kjo marrëveshje e ndërmjetme siguron njohjen de fakto nga Serbia”, tha ai.
Ditë më parë Bislimi e ka cilësuar si lëshim të madh të Kosovës faktin që ka pranuar marrëveshjen bazë të arritur me Serbinë në kuadër të dialogut mes dy vendeve, në të cilën nuk bën pjesë njohja formale.
Në një intervistë për median serbe “Danas”, Bislimi ka deklaruar se Serbia është pajtuar me tekstin e kësaj marrëveshjeje dhe se zbatimi i plotë i saj çon në një situatë të re dhe më stabile. /EO