Nismë e veçantë: Autobusi rozë nis sot rrugëtimin në rrugët e Prishtinës, ofron mamografi falas
Autobusi që shihni në fotot ngjyrë rozë do të fillojë sot qarkullimin nga ora 11:00, e në të cilin do të ofrohet shërbim i mamografisë falas. Nisja bëhet në rrugën “Luan Haradinaj”, konkretisht te New Born dhe e gjithë kjo në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit për parandalimin e kancerit të gjirit.
Shërbimi i mamografisë do të ofrohet falas edhe në tri qendrat e Mjekësisë Familjare: në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, atë të lagjes “Dardania” dhe në QMF “Veternik”. Ndërkohë, Komuna ka falënderuar ekipet e basketbollit të Trepçës e Pejës, lojtarët e së cilave do të veshin bluzat “Race for the Cure Prishtina 2023” në shenjë mbështetjeje për fushatën e vetëdijesimit kundër kancerit të gjirit.
“Ju lutemi nëna, motra, gra, sidomos nëse jeni mbi 40 vjeçe bëjeni mamografinë, është falas dhe mund ta bëni në Qendrat e mjekësisë familjare në lagjet ‘Qafa’, ‘Dardania’ dhe ‘Veternik’. Kontrolli mund të shpëtojë jetë”, thuhet në reagimin e Komunës.