Nxënësit e Tetovës po përballen me mungesë të teksteve shkollore
Me mungesë të librave po përballen edhe disa nxënës në Maqedoninë e Veriut. Është java e tretë që kur nisi procesi mësimor e filloristët e Tetovës po përballen me mungesën e librave. Sipas Drejtorisë së Arsimit në këtë komunë, janë 35 mijë libra mungesë për këta nxënës.
Nxënësit në Maqedoninë e Veriut nesër hyjnë në javën e tretë të vitit shkollor me mungesë të shumë librave. Mësimdhënësit ankohen se më e vështirë është gjendja në klasat e treta dhe të gjashta ku nxënësit nuk kanë asnjë libër.
"Po brenga është në të gjitha lëndët, nuk ndihesh mirë kur shikosh se nxënësve të klasave të gjashta u mungojnë një numër i madh i librave. Brengë më e madhe janë librat e klasës së tretë dhe të gjashta të cilat shpresojmë për një kohë, mos jetë shumë e gjatë, t’i kemi këto librat. Mirëpo brengë janë edhe librat për të gjitha klasat", tha mësimdhënësi Satki Ismaili.
Në sektorin për arsim të Komunës së Tetovës thonë se nxënësve të shkollave fillore të këtij qyteti sivjet u mungojnë rreth 35 mijë libra.
"Sipas të dhënave që i kemi marr nga shkollat, të gjitha shkollat fillore dhe të mesme në komunën e Tetovës janë të furnizuara me 30 për qind të teksteve shkollore", deklaroi Validin Ademi, udhëheqës për arsim në Tetovë.
Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri zotohet se deri në fund të shtatorit të gjithë nxënësit do të furnizohen me tekste shkollore.
“Operatori ekonomik çdo ditë dërgon libra. Pardje janë marrë vendimet e fundit nga Komisioni Nacional, janë miratuar librat për gjuhën shqipe, për matematikë, shkenca shoqërore dhe tani vazhdojnë procedurat. Nëse përfundojnë dhe nuk ka procedura ankuese, menjëherë librat do të vazhdojnë me rregullim tekniko-grafik por edhe me shtyp", tha Shaqiri.
Te nxënësit shqiptar në Maqedoninë e Veriut edhe këtë vit nuk ka arritur Abetarja e unifikuar shqipe, ndonëse Ministria e Arsimit kishte paralajmëruar vitin e kaluar se ajo sivjet do të gjendet në bankat shkollore.