Haziri: Gjilani sot e dy vjet ka mbetur pa kryetar

Haziri: Gjilani sot e dy vjet ka mbetur pa kryetar

Aktuale September 16, 2023 - 21:36

Lutfi Haziri, i cili humbi postin e kryetarit të Gjilanit në zgjedhjet e fundit lokale, ka thënë se kjo komunë që dy vjet është pa kryetar.

Ai ka thënë se qeverisja aktuale është e paaftë dhe me mungesë vizioni, që siç ka thënë ai po rrezikon atë se çfarë është bërë në të kaluarën dhe të ardhmen.

“Është fatkeqësi e madhe që Gjilani sot e dy vjet ka mbetur pa kryetar. Kjo udhëheqje e Komunës ka paaftësi financiare, mosdije në zbatim e mungesë vizioni, duke e rrezikuar progresin që ne e kemi shkaktuar në të kaluarën e afërt, po e rrezikon të ardhmen e po e mbytë shpresën për gjeneratat e reja, dhe ia ka garantuar një regres Gjilanit”, ka shkruar Haziri në Facebook të shtunën.

Ai ka thënë se Komuna e Gjilanit në qeverisjen e Vetëvendosjes po përballet me degradim të projekteve të filluara.

“Gjatë kësaj periudhe të qeverisjes së VV-së, Gjilani ka rrëshqitur në regres që nënkupton degradim të projekteve të filluara e mosrealizim të projekteve në shtratin e lumit Mirusha, në shtratin e lumit Stanishorka, në rrugët regjonale nuk kemi zhvillim të punimeve, përkatësisht në rrugën Gjilan-Prishtinë, kemi ndalje të punimeve në rrugën Gjilan-bunari i Përlepnicës, kemi anulim të rrugës nga “Planeti” në drejtim të Banjës së Dobëranit. Të mos flasim për moszhvillimin e projektit të ndriçimit në fshatra. Ndërkaq, po e ritheksojmë, asnjë arsye nuk ka që të shtyhet impianti për trajtimin e ujërave të zeza deri në vitin 2027”, ka shkruar Haziri.

Komuna e Gjilanit udhëhiqet nga Alban Hyseni i Vetëvendosjes. Ai kishte mundur Hazirin në zgjedhjet lokale pas dy mandateve të udhëhequra nga tani nënkryetari i LDK-së.