Konjufca flet për rrahjen në Kuvend, thotë se u tregua tolerant ndaj opozitës

Konjufca flet për rrahjen në Kuvend, thotë se u tregua tolerant ndaj opozitës

Aktuale September 16, 2023 - 15:37

Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca në “Kallxo Përnime” ka folur në lidhje me përleshjen mes deputetëve dhe kabinetit qeveritar në korrik të këtij viti. Konjufca tha se është kritik për atë se çka ka parë dhe uruar që një gjë e tillë mos të përsëritet.

Kryekuvendari tha se ato pamje nuk kanë qenë të mira për askënd.

“Më vjen keq se si e përfundoi sesionin e verës Kuvendi i Kosovës, vërtetë jam kritik ndaj asaj që e pashë dhe që e përjetuam së bashku. Nuk kanë qenë pamje të mira për askënd, së paku Kuvendi i Kosovës e ka pasë këtë imunitet deri në korrik që të mos i përdor grushtat ndaj njëri-tjetrit por së paku të përdorim argumente dhe gjuhën e argumentit. Ajo që ndodhi, urojmë të mos përsëritet”, tha Konjufca.

“Ne u munduam të shkojmë përmes një strategjie të amnistisë këtë radhë për me mujtë me vazhdu punën Kuvendi të mos ketë hatërmbetje apo acarim të tensioneve sepse ishte seanca e fundit dhe ndëshkimet aty janë për një seancë ose për një muaj përderisa ne pushimin e kemi gati dy muaj”, shtoi ai.Konjufca tha se tolerancën ndaj opozitës e ka për të krijuar një atmosferë të punës së mirë në Kuvend.

“Tolerancën më të madhe ndaj opozitës e kam me qëllim që me kriju një atmosferë të punës së mirë në Kuvend, sepse Kuvendi është epiqendra e zhvillimeve politike dhe me bo, me m’u blloku ky institucion, krejt hallkat institucionale nuk funksionojnë”- deklaroi kryeparlamentari.

“Nuk jam ithtar i parimit dhëmbë për dhëmbë, sepse mund të shkojmë ashtu. Dikush e ka bo gabimin, ti e kapë me polici e qet jashtë, shumë e thjeshtë është ajo për tre minuta zgjidhet dhe pastaj mediat mbushen duke e ngreh zhag”,  tha mes tjerash Konjufca .

Kush e grushtoi kë, çka ka ndodhur me hetimet për rrahjen në Kuvend mes ministrave e deputetëve.

Prokuroria Themelore e Prishtinës duket se ende nuk e ka plotësisht të qartë se kush e grushtoi kë në rrahjen që ndodhi në Kuvendin e Kosovës, më 13 korrik të këtij viti. Aktakuzë nuk ka ende, e hetimet po vazhdojnë. Prokuroria ka thënë se s’mund të jap informata në këtë fazë, me arsyetimin për ta ruajtur integritetin e procedurës.

Hetimet për rrahjen që ndodhi para gati dy muajsh në Kuvendin e Kosovës në drejtim të veprës penale “Sulmi”, ku u përfshinë disa Ministra të Qeverisë Kurit dhe disa deputetë të PDK’së, po vazhdojnë ende. Por, se kush po dyshohet për këtë rast, ende nuk dihet.

Zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj, i ka thënë Gazetës Express se hetimet për këtë rast po zhvillohen, por se nuk mund të jepen informacione të tjera në këtë fazë. Si arsyetim ka dhënë ruajtjen e integritetit të procedurës.

“Lidhur me pyetjet e juaja, ju njoftojmë se për këtë çështje penale janë duke u zhvilluar hetime, andaj në këtë fazë nuk mund të japim informata të tjera për shkak të ruajtjes së integritetit të procedures”, thuhet në përgjigjet e Ulajt.

Në pamjet që ishin transmetuar live kur kishte ndodhur incidenti, ishin parë duke u përfshirë në këtë incident zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, Ministri Hekuran Murati, deputeti Mërgim Lushtak, deputeti Hajdar Beqa dhe deputeti Bekim Haxhiu.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ministri i Financave, Hekuran Murati, janë dëgjuar nga Prokuroria e Prishtinës po ditën kur ka ndodhur rasti. Deputeti Mërgim Lushtaku është intervistuar një ditë më pas. Ftesa për intervistim u kishte shkuar edhe dy deputetëve tjerë të PDK’së, Bekim Haxhiut dhe Hajdar Beqës, por nuk është dhënë më ndonjë informacion nëse ka përfunduar intervistimi i tyre.

Ndryshe, deputetët e Kuvendit të Kosovës kishin eskaluar në dhunë gjatë seancës së 13 korrikut. Kuvendit të Kosovës.

Gjithçka kishte filluar pasi zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e hoqi foton e Kurtit që ishte vendosur nga opozita te pankarta “Zdravo”.

Deputeti i PDK’së, Mërgim Lushtaku e kishte gjuajtur pastaj me ujë kryeministrin Albin Kurti, derisa ai po mbante fjalim në foltore. Pas kësaj zëvendëskryeministri Bislimi u pa duke e gjuajtur me shishe Lushtakun, ku u afruan Ministri Hekuran Murati dhe Ministrja Albulena Haxhiu.

Lushtaku u pa duke i shtyrë të dy dhe pastaj u afrua edhe deputeti tjetër i PDK’së, Hajdar Beqa dhe deputeti i VV’së, Armend Muja, ku eskaloi situata. Aty u përfshi edhe deputeti Bekim Haxhiu.

Pastaj ndërhyri edhe sigurimi. Kryeparlamentari Glauk Konjufca e kishte thirrur edhe Policinë e Kosovës.