Kodi Civil, Korenica: Nëse është dokumenti i njëjtë, nuk do të votohet

Kodi Civil, Korenica: Nëse është dokumenti i njëjtë, nuk do të votohet

Aktuale September 16, 2023 - 08:01

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LVV-së, Visar Korenica ka folur për një varg çështjesh, mes tjerash për dialogun Kosovë-Serbi, për punimet në seancat e Kuvendit të Kosovës, e ku në spikamë e vë çështjen e Kodit Civil.

Rezultati i takimit të djeshëm në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për deputetin Korenica ishte i pritshëm.

“Për mua personalisht ka qenë i pritshëm, sepse deri më sot të gjitha përfaqësimet të kryeministrit jashtë vendit kanë qenë dinjitoze. Nga takimi i djeshëm është parë se sa problematike është të luftosh vendin tonë e në këtë drejtim kryeministri ynë po e kryen detyrën e tij shumë mirë”, ka deklaruar mes tjerash Korenica.

Tutje, në këtë drejtim Korenica shtoi se fatkeqësisht Serbia po ledhatohet nga ndërkombëtarët, derisa pati vërejtje ndaj ndërmjetësuesve Borrell e Lajçak se nuk po insistojnë që Vuçiq të nënshkruajë për çështejt për të cilat arrihen marrëveshjet.

E lidhur me “Udhëzimin Administrativ” ku ndalohet qasja e vajzave me shamia në shkolla, deputeti Korenica u shpreh se ky udhëzim, që po përsëritet ndër vite, të hiqet që të mos ketë pengesa në ndjekjen e mësimit në shkolla, sikundër tha ai, për vajzat tona.

“Është një e drejtë themelore e garantuar me Kushtetutë e me ligjin për arsim që fëmijët tanë të kenë shkollim të dinjitetshëm”, deklaroi Korenica, derisa shtoi se ka pasur takime të drejtpërdrejta me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci për çështjen në fjalë, që të marrë vendim për ta shfuqizuar atë vendim, sipas tij, i padrejtë.

Tutje, deputeti Korenica tha se duhet që secilit fëmijë t’u mundësohet shkollimi, të gjitha ato mundësitë që jep shteti për edukim.

Ndërkaq lidhur me ligjin për Kodin Civil, për miratimin e të cilit ministrja Albulena Haxhiu kohë më parë ishte shprehur optimiste, deputeti i cili rrjedh prej të njëjtës subjekt politik, tha se nuk di të kemi pasur ndonjë takim për këtë punë.

“Megjithatë është deklaratë e ministres dhe qëndrimi është i njëjtë. Ne kemi diskutuar publikisht për këtë çështje. Nuk do të ketë përkrahje nëse është dokumenti i njëjtë”, deklaroi mes tjerash, deputeti Korenica.

Ai më tej shtoi se duhet me fanatizëm ta mbrojmë familjen tonë.

Korenica foli edhe për RTK-në si medium publik, për buxhetin, por edhe për deklaratën e kryetarit të Bordit të RTK-së, Besnik Boletini, për mënyrën e veshjes dhe paraqitjes në punë, që është bërë problematik e që, sipas tij, nuk ka pasur qëllim bullizues./rtk