Haradinaj: Me Thaçin dhe Rugovën ishte krejt ndryshe, me Kurtin vështirë

Haradinaj: Me Thaçin dhe Rugovën ishte krejt ndryshe, me Kurtin vështirë

Aktuale September 15, 2023 - 12:50

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, është ankuar se është e vështirë të dialogohet me kryeministrin Albin Kurti.

Ai, në takimin e organizuar nga “Grupi për Ballkanin” të premten, tha se si parti opozitare nuk po mund të kontribuojnë në procesin e dialogut, përderisa në kohën e ish-presidentët Ibrahim Rugova e Thaçi ishte krejt ndryshe.

“Mund t’i përmend disa mësime që i kam mësuar vetë, por gjatë kohëve të vështira, kur ka qenë presidenti Rugova ose Thaçi ka pasur një mënyrë komunikimi, dhe tani jemi të shqetësuar që nuk po mund të komunikojmë ose kontribuojmë në dialog. Ky është shqetësimi ynë që nuk po mund të komunikojmë, nuk e kemi një tryezë ose grup për këtë temë”, tha Haradinaj.

Në këtë tryezë morën pjesë edhe baronesha Catherine Ashton dhe Philipp Reeker, ambasador amerikan dhe ish-zyrtar i lartë i SHBA-së.

Baronesha Cathrine Ashton tha se ajo që po bën Kosova dhe Serbia është e vështirë dhe e rrallë, sepse nuk ndodh në shumë vende të botës.

“Ajo çfarë po provoni të bëni është për të ardhmen. Ju duhet të njihni dhe të respektoni të kaluarën, të njihni dhe të respektoni njerëzit që kanë vuajtur, shumë njerëz. Dhe duhet ta dini se ajo çfarë po bëni dhe keni bërë në të kaluarën është që ta bëni të ardhmen më të mirë. Dhe kjo kërkon kurajë dhe lidership. Dhe është diçka e rrallë që ndodh në botë, ju s’mund ta gjeni shpesh. Por e gjeta këtu dhe në Serbi”.

Ajo tha se negociatat për arritjen e marrëveshjes në vitin 2013 kanë qenë të ndërlikuara, por më sfidues sipas saj u bë pastaj implementimi.

Ashtoni tha se edhe Josep Borrell, që tanimë është në postin që kishte ajo, po e bën të njëjtën, derisa për emisarin Miroslav Lajçak shtoi se e do suksesin e këtij procesi.