Reeker: Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi do t’i ofrojë Ballkanit më shumë siguri dhe zhvillim
Foto: Laura Hasani

Reeker: Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi do t’i ofrojë Ballkanit më shumë siguri dhe zhvillim

Aktuale September 15, 2023 - 11:03

Ambasadori Philp Reeker, ish zyrtar i lartë i SHBA-së, ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi do t’i ofrojë më shumë siguri dhe zhvillim Ballkanit Perëndimor.

Këto deklarime Reekeri i bëri në konferencën “Dialogu me Serbinë”, e cila është mbajtur në Prishtinë.

“Ne duam të shohim më shumë prosperitet në këtë rajon, ky është qëllimi ynë, kjo ishte politika jonë dhe kështu mbetet. Ne duam të shohim Ballkanin Perëndimor më mirë, Kosovën më mirë. Ne duam të shohim një Evrope të plotë, të lirë dhe në paqe”, tha ai.

Ndërsa baronesha Catherine Ashton në fjalimin e saj potencoi se Kosova është shumë e rëndësishme për të, ndërsa ritheksoi se procesi i dialogut Kosovë – Serbi nuk ka qenë asnjëherë i lehtë.

“Shpresoj ta kuptoni se koha e kaluar në dialog ka qenë e vështirë. E ardhmja e këtij rajoni është në Bashkimin Evropian, është më mirë për ekonominë, për zhvillimin e të rinjve etj.”, theksoi ajo.

Ndryshe, të enjten në Bruksel u mbajt takimi i nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Borrelli në një konferencë për media tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka pranuar që të fillojë procesin e themelimit të Asociacionit duke insistuar në formalizmin e njohjes de fakto si hap i parë.

Ndërsa sipas tij, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka pranuar kompromisin e paraqitur nga BE-ja, ndonëse në fillim kishte shkuar në Bruksel me një propozim të vetin. /Telegrafi