Aprovohet marrëveshja për pranim fajësie mes Prokurorisë dhe të akuzuarit se ia theu gishtin një personi për 50 euro borxh
Foto: Laura Hasani

Aprovohet marrëveshja për pranim fajësie mes Prokurorisë dhe të akuzuarit se ia theu gishtin një personi për 50 euro borxh

Aktuale September 14, 2023 - 21:12

Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Gjilan, është aprovuar marrëveshja për pranimin e fajësisë e lidhur me Prokurorisë Themelore në Gjilan dhe të akuzuarit për lëndim të rëndë trupor, M.A.

M.A ngarkohet se për shkak të një mosmarrëveshje rreth një borxhi prej 50 euro, i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore të dëmtuarit E.M., duke ia thyer gishtin në mënyrë të dhunshme.

Gjyqtari i vetëm gjykues Sahit Boroci, tha se janë plotësuar të gjitha kushtet e parapara me nenin 233, pika 18 të KPP-së, konform nenit 233, pika 21 të KPP-së, për aprovimin e marrëveshjes për pranim fajësie.

Në këto rrethana, gjyqtari Boroci mori aktvenndim, me të cilin aprovoi marrëveshjen për pranim fajësie, e marrë më 10 shkurt 2021.

Kjo pasi, paraprakisht njoftoi palët se më 10 shkurt 2021, kishte arritur në gjykatë marrëveshja për pranim fajësie e lidhur me Prokurorisë dhe mbrojtjes së të akuzuarit.

I dëmtuari E.M., e kundërshtoi këtë marrëveshje për pranim fajësie, me arsyetimin se të njëjtën nuk e ka parë asnjëherë dhe se është hera e parë që po ftohet në seancë për këtë rast.

Prokurori Isuf Sadiku dhe mbrojtësi i të akuzuarit M.A., avokati Mustafë Musa mbetën panë marrëveshjes së arritur për pranimin e fajsisë dhe kërkuan nga gjykata aprovimin e saj.

Më pas, prokurori tha se mbetet psa marrëveshjes së arritur për pranim fajësise dhe propozoi që të akuzuarit t’i shqiptohet dënimi sikurse është propozuar në marrëveshje.

“Mbetem në tërësi pranë marrëveshjes lidhur me pranimin e fajësisë dhe i propozoj giykatës që të akuzuarin ta shpall fajtor dhe t’i shqiptojë dënimin sikurse është evidentuar në këtë marrëveshje”, tha ai.

Kurse, avokati Musa i propozoi gjykatës që ta aprovojë sanksionin penal që është propozuar në marrëveshje.

“Meqë është caktuar edhe lartësia e sanksionit penal, mua nuk më mbetet tjetër por i propozoj gjykatës që të njëjtin ta aprovojë”, tha ai.

Në anën tjetër, i akuzuari tha se mbetet pranë marrëveshjes së arritur me Prokurorinë dhe i kërkoi falje të dëmtuarit.

“I kërkoj falje të dëmtuarit dhe premtoj që në të ardhmen nuk do të kryej vepra të tjera të kundërligjshme”, tha ai.

Shpallja e aktgjykimit u caktua të bëhet më 15 shtator 2023.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, thuhet se më 6 nëntor 2020, rreth orës 20:30, në Gjilan, në rrugën ” Lidhja e Prizrenit” i pandehuri Metin Arifi, pas një mosmarrëveshje rreth një borxhi prej 50 euro, i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore të dëmtuarit Egzon Mulakut.

Aktakuza thotë që derisa të njëjtit kanë qenë duke biseduar mes vete pandehuri për një moment bëhet agresiv duke ia kapë gishtin tregues të dorës së djathtë të dëmtuarit dhe thotë “se ta thyej gishtin për 50 euro” dhe ia thyen në mënyrë të dhunshme, ku i shkakton lëndime të rënda trupore, i cili si pasojë e lëndimeve detyrohet të kërkojë ndihmë mjekësore në Emergjencën e Spitalit Regjional në Gjilan, sipas raportit mjekësor të 6 nëntorit 2020.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor” nga neni 186, paragrafi 1, nënpar.1.1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Sheënim: Personat e peërmendur neë keëteë artikull konsiderohen teë pafajsheëm, peërvecë neëse nga gjykata veërtetohet se janeë fajtoreë me vendim teë formeës seë prereë.