Gjykimi ndaj “Thaçit dhe të tjerëve”, ish-oficeri i ushtrisë britanike flet për nivelet e organizimit të UÇK-së

Gjykimi ndaj “Thaçit dhe të tjerëve”, ish-oficeri i ushtrisë britanike flet për nivelet e organizimit të UÇK-së

Aktuale September 14, 2023 - 17:36

Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, Douglas Young, ish-oficer i ushtrisë britanike, në cilësi të dëshmitarit të 25-të (me kodin 03724)), komentoi tri nivelet e organizimit të UÇK-së sipas raportit të kolegut të tij David Willson.

Dëshmitari, këtë e bëri pas leximit të pjesëve të raportit të Willson nga mbrojtësi i Veselit, avokati Ben Emmerson.

Ai u pajtua me përshkrimin e nivelit të parë si njësi vendore të fshatrave, të cilat mund të krahasoheshin me njësi të mbrojtjes së brendshme, por se shtoi se askush nga vendorët nuk i kishte thënë se ka qenë mbrojtës i fshatit për disa vite.

Lidhur me nivelin tjerët, ai pranoi analizën për kategorinë e njohuri si njësi territoriale – zone, që kishin nivel më të lartë apo mbi nivelin e fshatrave.

Ai për ta tha se ka pasur rastin të takojë njerëz të përfshirë në ngjarje të verës, por sipas tij nuk ishin profesionistë, ndonëse ishin më të vjetër dhe shtoi se ata mund të ishin luftëtarë të vendosur por jo të aftë në zhvillime të mëtejme.

Kurse, lidhur me nivelin më të lartë komandues, dëshmitari tha se nga përvoja me shqiptarët ishte vërejtur se ka tendencë që njëri-tjetrit t’i referoheshin si individë më shumë sesa ‘‘komandanti ky, komandanti ai’’.

Në vazhdim, ai pranoi se kanë mbajtur trajnime jo domosdo se kur civilët mund të konsideroheshin luftëtarë, por se ishte në njohuri të tija se ‘‘një civil kur merrte armë mund të shënohej si legjitime dhe konsiderohej luftëtar’’.

Ai u pajtua me avokatin Emmerson se një civil mund të sulmohej vetëm kur ka armë, kurse ushtari mund të sulmohej edhe kur ishte duke fjetur.

Lidhur me personin e përmendur gjatë dëshmisë së tij, Xhafiqin, dëshmitari tha se ai kishte qenë oficer i regjistruar në MUP.

I pyetur nëse MUP konsiderohej rrezik i pranishëm në momentin kur kishin gjuajtur në drejtim të UÇK-së gjatë periudhës së ndalimit të Xhafiqit, dëshmitari u përgjigj me ‘‘po, absolutisht’’.

Por, Young insistoi se nuk ka pasur luftime atë kohë por se ka pasur shkëmbime armësh mes palëve.

Lidhur me Xhafiqin, ai tha se nga një burim i tretë i kishin thënë se ishte keqtrajtuar por se nuk ka prova për këtë.

Ndërkaq, mbrojtja e Krasniqit nuk pati pyetje për dëshmitarin përderisa Zyra e Prokurorit të Specializuar pati pyetje plotësuese.

Duke u përgjigjur në këto pyetje, dëshmitari tha se kishte shqetësime për personin e ndaluar që sipas tij lidheshin me rastet e personave të ndaluar nga UÇK-ja pavarësisht garantimeve të tyre se do trajtoheshin në bazë të Konventës së Gjenevës.

Lidhur me identifikimin e Fatmir Limajt, dëshmitari edhe njëherë tha se këtë e kishte verifikuar edhe nga përkthyesit me përvojë të gjatë dhe nga fotografia e parë më herët.

Atë e përshkroi si kokëfortë që nuk ishte bashkëpunues dhe se nuk ka reaguar mirë ndaj vendimeve të tyre, si dhe nga ai tha se janë pyetur nëse kanë kompetencë për ta trajtuar këtë rast.

Dëshmitari tha se Limaj kishte thënë se këtë çështje mund ta trajtonte Kryqi i Kuq Ndërkombëtar.

Edhe në pyetjet e trupit gjykues, dëshmitari foli për shqetësimin lidhur me sigurinë e Xhafiqit, e që tha se kjo ishte rritur nga sjellja, qëndrimi i Fatmir Limajt dhe mundësia e mohuar për t’u takuar me personin e ndaluar.

Ndërkaq, kur u pyet lidhur me deklarimin e tij se çka kishte nënkuptuar për llojin e operacioneve që kishte marrë pjesë Limaj, dëshmitari tha se nuk ka njohuri të hollësishme për historikun e tij por se ai e kishte kuptuar se ishte i rrezikshëm.

‘‘S’dua ta them në kontekst negativ, por e kuptova se ishte i rrezikshëm, jo si kritikë por si çështje fakti’’, tha ai.

Sipas tij, emri i tij kishte dalë edhe në sesione informuese dhe se e kishte menduar dhe besuar në mendjen e vet se ai ishte një person nga i cili duhej të kishin kujdes. /BetimipërDrejtësi