LVV-ja në Prishtinë e cilëson joligjore seancën ku u miratua buxheti komunal për vitin 2024

LVV-ja në Prishtinë e cilëson joligjore seancën ku u miratua buxheti komunal për vitin 2024

Aktuale September 14, 2023 - 14:48

Grupi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës e ka konsideruar si të jashtëligjshme seancën e sotme ku u miratua edhe buxheti për vitin 2024.

Ata thanë se për shkak të paqartësive ligjore në këtë seancë s’kanë marrë pjesë gjysma e asamblistëve të Kuvendit Komunal, teksa insistojnë se kjo seancë nuk do të pranohet nga MAPL-ja, raporton Zeri.info.

“Ky buxhet i miratuar sot, i kontestuar ligjërisht edhe nga organizata të shoqërisë civile, i kontrabanduar në seancë të jashtëzakonshme e të paligjshme, është në fakt buxhet për partitë në pushtet, LDK e PDK, për klientelen e tyre, jo për zhvillim, jo për Prishtinën. Këto veprime të koalicionit aktual qeverisës, injorimi dhe mos respektimi i vendimeve të organeve mbikëqyrëse përveç se janë të papranueshme do të shkaktojnë dëm të pariparueshëm në zhvillimin e qytetit dhe në mirëqenien e qytetarëve. Jemi të bindur se kjo do të dëshmohet shumë shpejt”, thuhet në reagim.

LVV-ja beson se kjo seancë dhe vendimet e miratuara në të s’di të kalojnë filtrat ligjor, teksa kanë kërkuar nga organet përgjegjëse të marrin veprime për kthimin e ligjshmërisë në Komunën e Prishtinës.

“Vendimet dhe veprimet që merren duke shkelur ligjet e procedurat, pa transparencë e në mënyrë jodemokratike nuk duhet toleruar më”, thuhet ndër të tjera. /Zëri