EULEX-i për bastisjet: Ne vetëm asistojmë

EULEX-i për bastisjet: Ne vetëm asistojmë

Aktuale September 14, 2023 - 14:00

Gjatë ditëve të fundit Policia e Kosovës bashkë me atë të EULEX-it kanë kryer bastisje në disa lokacione në Prishtinë.

Edhe sot është bastisur shtëpia e ish-pjesëtarit të UÇK-së në “Kodrën e Trimave” në Prishtinë, ndërsa të gjitha këto bastisje lidhje me procesin gjyqësor që po zhvillohet nga Gjykata Speciale në Hagë.

Ndërkohë, EULEX-it në një përgjigje për “Zërin” ka thënë se nuk kanë mandat për të ndërmarrë veprime që ndërlidhen me procedura gjyqësore, si kryerjen e arrestimeve, bastisjeve, konfiskimeve, marrjes në pyetje ose të ndalimin e personave dhe në të gjitha këto ata vetëm po asistojnë.

“Prej vitit 2018, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) nuk ka mandat për kryerjen e drejtpërdrejtë të operacioneve të bastisjes dhe konfiskimit. Në kuadër të kornizave të mandatit aktual për mbështetjen e institucioneve të caktuara të sundimit të ligjit në Kosovë në rrugën e tyre drejt ngritjes së efektivitetit, qëndrueshmërisë, shumetnisë dhe llogaridhënies, të lira nga ndërhyrjet politike dhe në pajtim me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe praktikat evropiane më të mira, në lidhje me operacionet e tilla, mandati i EULEX-it është i kufizuar vetëm në ofrimin e mbështetjes logjistike për autoritetet përkatëse gjyqësore dhe hetimore”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it për “Zërin”.

Ndërkohë OVL e UÇK-së ka paralajmëruar protesta për të kundërshtuar bastisjen e fundit në shtëpitë e ish-ushtarëve të UÇK-së. /Zëri