Gashi: Kurti po tenton t’i përmirësojë gabimet trashanike në dialog, s’e pranon Asociacionin me kompetenca

Gashi: Kurti po tenton t’i përmirësojë gabimet trashanike në dialog, s’e pranon Asociacionin me kompetenca

Aktuale September 14, 2023 - 13:14

Avokati Tomë Gashi është shprehur i bindur se kreu i Qeverisë Albin Kurti, është duke tentuar që të përmirësojë gabimet trashanike që i kanë bërë më parë në procesin e dialogut me Serbinë.

Gashi tha se energjia kryesore e Kurtit dhe e Qeverisë është duke u shfrytëzuar që ta ruajë territorin e Kosovës. Ndonëse thotë se Serbia pretendon formimin e Asociacionit me kompetenca ekzekutive, ai shprehet i bindur se një gjë të tillë nuk do ta lejojë asnjëherë Kurti.

“Albin Kurti të vetmen punë që ka është që të tentojë që të përmirësojë gabimet trashanike që i kanë bërë ata që ishin para Albin Kurtit, sepse në prizmin tim ata nënshkruanin gjithçka çfarë Serbia kërkonte dhe gjithmonë bënin marrëveshje për çështjet të brendshme të Kosovës, respektivisht për territorin e Kosovës. Nuk ishte vetëm pjesa e veriut ishin edhe çështjet e tjera të manastireve apo kishave që ne fatkeqësisht i quajmë serbe edhe pse ato nuk janë serbe. Mendoj që ajo fuqia kryesore apo energjia kryesore e Kurti dhe e Qeverisë është duke u shfrytëzuar që ta ruajë territorin e Kosovës”.

“Duke pasur parasysh situatën që është në Kosovë dhe duke pasur parasysh pretendimet e Serbisë të përfaqësuara nga presidenti i tyre Vuçiq, i cili kërkesën e vetëm të themi e ka formimin e Asociacionit dhe pretendimet e tij janë që të ketë edhe fuqi ekzekutive. Mendoj që Albin Kurti këtë kurrë nuk do ta pranojë dhe do ta shihni që gjatë ditës së sotme nuk do të ndodhë asgjë spektakolare”.

Gashi pohon se Kosova i ka kryer të gjitha punët që janë dhënë nga bashkësia ndërkombëtare për depërshkallzimin e situatës në veri.

Madje thotë se Kosovës padrejtësisht i janë venë disa masa, të cilat duhet që të hiqen sa më shpejt, raporton EO.

“Tani më kanë kaluar më tepër se 3 muaj prej takimit të fundit dhe bashkësia ndërkombëtare është duke kërkuar takime të tilla përderisa e kemi Lajçakun edhe Borrellin të cilët janë ndërmjetësuesit apo të themi lehtësues të këtyre bisedimeve dhe duke parë që ata janë krejtësisht të anshëm në favor të Serbisë, mendoj që jemi larg arritjes së një marrëveshje e cila do ta qetësonte regjionin. Kosova i ka kryer të gjitha punët që janë dhënë nga Bashkësia ndërkombëtare për depërshkallzim. Është hequr faktikisht një numër i madh i njësive të Policisë Speciale nga godinat apo nga ndërtesat e katër komunave në veri, ata vetëm janë dislokuar dhe jo që nuk janë në veri por janë atje. Tani nuk kemi as protesta, kështu që është një normalizim krejtësisht”.

“Sa u përket raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë, Kosovës padrejtësisht i janë venë disa masa të cilat ne kërkojmë që sa më shpejt që të hiqen ato. Nuk janë masa drastike por prapë se prapë janë pengesë dhe besoj që njëra prej kërkesave të kryeministrit tonë Albin Kurti, sot në takimet në Bruksel do të jetë edhe kjo kërkesë që këto masa të hiqen sepse janë krejtësisht të dëmshme dhe janë faktikisht të padrejta. Është pak e çuditshme se si fare lehët mund të shihet se kush është ai që përshkallëzon situatën në veri e Kosovës dhe kjo është Serbia”.

Të enjten në Bruksel është mbajtur takimi trepalësh në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Ky takim ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell dhe të dërguarin e Posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.