Klinaku paralajmëron protesta, pas bastisjeve nga ZPS-ja

Klinaku paralajmëron protesta, pas bastisjeve nga ZPS-ja

Aktuale September 14, 2023 - 12:01

Ditët e fundit Prokuroria e Dhomave të Specializuara ka marrë një sërë aksionesh për bastisjen e banesave të akterëve të lidhur me UÇK-në.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL UÇK-së, Faton Klinaku, ka paralajmëruar një protestë para EULEX-it, si shenjë pakënaqësie ndaj këtyre aksioneve, raporton Zeri.info.

“Meqenëse po na hyjnë edhe në shtëpi, duke na i shqetësuar edhe familjet, jemi duke menduar që ZPS-së dhe EULEX-it t'i bëjmë protesta te selia e tyre në Fushë-Kosovë”, shkroi Klinaku në Facebook.

Protesta është paraparë të mbahet nesër te selia e EULEX-it në Fushë-Kosovë nga ora 12:00, ndërsa Klinaku u ka bërë thirrje qytetarëve të marrin pjesë.

Jeni dëshmitarë që Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë dhe EULEX-i janë duke i shqetësuar familjet e bashkëluftëtarëve tanë dhe familjet e dëshmorëve, duke dërguar pa paralajmërim njerëz të panjohur e me kapela në kokë, për gjoja intervistime e duke ua konfiskuar edhe telefonat e tyre personalë.

Kjo gjë kështu, siç po bëjnë këta të panjohur për ne, po bëhet në shtetin tonë sikur dikur në kohën e pushtuesit dhe institucionet tona vetëm po heshtin.

Prandaj, duke pasur parasysh këtë, ne thërrasim protestë kundër ZPS-së dhe EULEX-it, te selia e tyre në Fushë-Kosovë, nesër më datë 15 shtator 2023, ora 12:00”, shtoi ai ndër të tjera.

Kujtojmë se sot është bastisur shtëpia e ish-pjesëtarit të UÇK-së, Behar Berisha, në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë dhe është ende duke vazhduar. /Zëri