Çitaku: Sot Kosova palë e sanksionuar nga aleatët, shkaku i aventurave të Kurtit

Çitaku: Sot Kosova palë e sanksionuar nga aleatët, shkaku i aventurave të Kurtit

Aktuale September 14, 2023 - 09:04

Sot në Bruksel pritet të takohen kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq, në kuadër të procesit të dialogut.

Në lidhje me këtë takim, pozita dhe opozita kanë mendime të ndryshme, duke e marrë parasysh situatën në të cilën ndodhet Kosova, pas sanksioneve të vendosura nga BE-ja, shkruan Zeri.info.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se tani Kosova po ecën në një terren krejtësisht të panjohur për shkak të veprimeve të papërgjegjshme të kryeministrit Kurti.

Ajo ka thënë se Kurti duhet të sillet me përgjegjshmëri dhe t’ia kujtojë vetes se Kosova është më e rëndësishme se egoja e tij.

“Sot në Bruksel, Kosova ecën në një terren krejtësisht të panjohur.

Si rezultat i qasjes së papërgjegjshme dhe aventureske të Albin Kurtit, për herë të parë në historinë tonë të re, që nga Rambuje e tutje, në përballje me Serbinë, Kosova është pala e sanksionuar nga aleatët tanë.

Sot, Kryeministri duhet të sillet përgjegjshëm. Kosova është më e rëndësishme se egoja e tij”, shkroi ajo në Facebook. /Zëri