Gjykata do kërkojë informacione për të kuptuar nëse ka vdekur i akuzuari, ndërpritet gjykimi për mashtrimin e klienti

Gjykata do kërkojë informacione për të kuptuar nëse ka vdekur i akuzuari, ndërpritet gjykimi për mashtrimin e klienti

Aktuale September 13, 2023 - 17:04

Seanca e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda është ndërprerë, pasi do të kërkohen sipas detyrës zyrtare nga Shërbimi i Ofiqarisë së Komunës së Deçanit, informata për avokatin H.Ç., në rastin ku ai po akuzohet për mashtrim të klientit të tij. Kjo ngase, sipas informatave që gjykata posedon, i akuzuari ka ndërruar jetë.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Naser Foniqi gjatë seancës së të mërkurës, lidhur me rastin tha se i akuzuari H.Ç., thirrjen e ka pranuar më 31 korrik 2023 por nuk është paraqitur në séance.

Ndërsa, me të marrë informacionin se i akuzuari ka ndërruar jetë, gjykatësi Foniqi tha se ka hyrë në faqen zyrtare të Odën së Avokatëve të Kosovës (OAK), e cila në njoftimin e saj kishte treguar se kanë humbur anëtarin e tyre, avokatin H.Ç.

Tutje, gjykatësi Foniqi shtoi se më 12 shtator 2023 i është drejtuar Shërbimit të Ofiqarisë në Komunën e Deçanit me kërkesën se a e ka paraqitur familja e tij vdekjen e të njëjtit.

Me ç’rast, tha se zyrtarja e këtij Shërbimi përmes e-mailit zyrtar i ka njoftuar se nuk ishte lajmëruar akoma vdekja e H.Ç., dhe se në sistem ai figuron i gjallë.

Lidhur me këtë, gjykatësi Foniqi tha se meqenëse e kanë njoftimin e OAK-së, i cili paraqet të dhënat personale të njëjta me të akuzuarin H.Ç, Gjykata do të kërkojë sipas detyrës zyrtare informata nga Shërbimi i Ofiqarisë, e po ashtu do të kërkohen certifikata e vdekjes edhe nga familjet e të njëjtit.

Në këto rrethana, seanca e sotme u ndërpre.

Në fund, u tha se gjykata do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për vërtetimin e gjendjes së paraqitur më lartë, përkatësisht do të kërkojë certifikatën e vdekjes për tani të akuzuarin.

Kurse, në momentin kur ajo sillet në gjykatë, do të vendoset me aktvendim të posaçëm lidhur me këtë çështje.

Ndryshe, në fillim të seancës, gjykatësi Foniqi, konstatoi mungesën e dëshmitares Mirjeta Imeri, me përfaqësuesin e saj, avokatit Durim Osmani, i cili paraprakisht e kishte njoftuar gjykatën për të akuzuarin Ç., dhe kishte treguar se e dëmtuara gjendet jashtë vendit, duke pyetur se a ishte nevoja të njoftohet për seancë.

I pranishëm në këtë seancë ishte vetëm prokurori Bashkim Zeqa.

Në seancën e 12 dhjetorit 2022, Gjykata përmes aktvendimit të marrë nga gjykatësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Edita Çanta lëndën ndaj të akuzuarit e kishte deleguar në Departamentin për Krime të Rënda.

Ndryshe sipas aktakuzës, avokati Ç., sa ishte duke mbrojtur Nimon Berishën, për një vrasje të rëndë në Pejë, kishte kërkuar dhe pranuar shuma të ndryshme të parave nga e dëmtuara Mirjeta Imeri, vajza e Berishës, kinse në emër të mbrojtjes së babait të saj.

Ai për këto veprime më 2 dhjetor 2019 ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me 6 muaj burgim, si dhe me 3 mijë euro gjobë, mirëpo të njëjtit nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Valbona Musliu-Selimaj iu ishte mundësuar që ky dënim t’i zëvendësohet me dënim me gjobë në vlerë prej 5 mijëeuro.

Ndaj tij, gjykata kishte shqiptuar edhe dënim plotësues- ndalimi i ushtrimit të profesionit të avokatit në kohëzgjatje prej një viti, pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Në shpallje të aktgjykimit, trupi gjykues kishte njoftuar se kanë bërë edhe rikualifikimin e veprës penale “Mashtrimi”, nga paragrafi 1, nënparagrafin 2, i cili thotë se “Nëse vepra penale nga paragrafi 1 i këtij neni rezulton me dobi pasurore të kundërligjshme ose shkakton dëme në vlerë prej 10 mijë euro apo më shumë, kryerësi dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet”.

Mirëpo, Gjykata e Apelit, përmes një njoftimi të publikuar në faqen e tyre zyrtare në rrjetin social “Facebook”, kishte njoftuar se ky aktgjykim është anuluar nga Departamenti Special i kësaj gjykate, pasi është aprovuar ankesa e avokatit mbrojtës të të akuzuarit dhe sipas detyrës zyrtare, duke u kthyer kështu lënda në rigjykim.

“Gjykata e Apelit, gjeti se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë, është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se gjendja faktike nuk është vërtetuar drejt dhe në mënyrë të plotë, në raport me veprën penale për të cilën i akuzuari është shpallur fajtor dhe gjykuar. H.Ç. ishte shpallur fajtor nga ana e gjykatës së shkallës së parë, për shkak të veprës penale, “Mashtrimi” nga neni 335, par.2 lidhur me par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), për çka ishte dënuar me dënimin me gjobë në shumë prej 3 mijë euro dhe dënim më burgim në kohëzgjatje prej 6 muajsh. Atij po ashtu i ishte ndaluar ushtrimi i profesionit të avokatit në kohëzgjatje prej 1 viti, duke iu llogaritur nga dita kur vendimit ta marrë formën e prerë”, thuhej në këtë njoftim.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë më 11 prill 2017, me të cilën H.Ç., thuhet se në cilësinë e avokatit të të akuzuarit Nimon Berisha, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër, e mashtron të dëmtuarën Mirjeta Imeri dhe atë në vazhdimësi, duke filluar nga 6 janari 2015 e deri më datën e ndalimit dhe arrestimit të tij më 15 shkurt 2017.

Prokuroria pretendon se Ç, nga e dëmtuara Mirjeta Imeri kishte marrë para për mbrojtjen e Nimon Berishës, babait të të dëmtuarës në emër të mbrojtjes së tij dhe në emër të ekspertizave- marrjes së një ekspertize nga Turqia dhe atë në një shumë të përgjithshme prej 43 mijë euro, si dhe shumën tjetër të cilën Ç., e ka marrë nga e dëmtuara në emër të trupit gjykues të Gjykatës Themelore në Pejë në shumë prej 40 mijë euro.

Kjo shumë, sipas aktakuzës, është konfiskuar nga ana e zyrtarëve me rastin e arrestimit të të pandehurit, ndërsa dëmi i shkaktuar të dëmtuarës tejkalon shumën 50 mijë euro. /BetimipërDrejtësi

Sheënim: Personat e peërmendur neë keëteë artikull konsiderohen të pafajsheëm, peërvecë neëse nga gjykata veërtetohet se janë fajtoreë me vendim teë formeës seë prereë.