Përmes user-it të kolegut tërhoqi 300 euro, pranon fajësinë dhe kërkon falje zyrtari i Postës
Foto: Laura Hasani

Përmes user-it të kolegut tërhoqi 300 euro, pranon fajësinë dhe kërkon falje zyrtari i Postës

Aktuale September 13, 2023 - 14:55

Në seancën fillestare të mërkurën në Gjykatën Themelore në Gjakovë, i akuzuari Ardian Perdedaj e ka pranuar fajësinë se në tetor të 2022-ës në pikën postare Gjakova 1, në pozitën e zyrtarit të Postës-sportelist, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete përvetëson pasurinë e të dëmtuarit L.N.

Perdedaj akuzohet se duke shfrytëzuar user-in e kolegut të tij të punës Gj.D., ishte futur në sistem duke përdorur të dhënat personale të të dëmtuarit L.N. (përfitues i asistencës sociale) dhe tërhoqi mjetet monetare të asistencës sociale të tij në shumën 300 euro, mjete të cilat i dorëzon pas rreth 20 ditësh pas raportimit të rastit në Qendrën për Punë Sociale në Gjakovë.

Deklarimin rreth fajësisë, i akuzuari Perdedaj e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Ardita Beqiraj-Hyseni.

“E pranoj fajësinë, jam pendu, premtoj se në të ardhmen nuk do të kryej vepra të tilla apo të ngjashme penale. Po ashtu, i kërkoj falje palës së dëmtuar”, tha i akuzuari.

Me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit Perdedaj, është pajtuar prokurorja Beqiraj-Hyseni, e cila ka kërkuar nga gjykata që t’i vlerësojë rrethanat rënduese dhe lehtësuese me rastin e matjes së dënimit.

Ky pranim i fajësisë nuk u kundërshtua nga mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Bardh Maksuti dhe më pas si i tillë u aprovua nga i dëmtuari L.N.

Më pas, pranimi i fajësisë është aprovuar nga kryetari i trupit gjykues Drilon Haraçia, ndërkaq shpallja e aktgjykimit është caktuar të bëhet më 15 shtator.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 6 qershor 2023 nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, thuhet se më 4 tetor 2022, në pikën postare Gjakova 1, i akuzuari Ardian Perdedaj, në pozitën e zyrtarit të Postës-sportelist, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, përvetëson pasurinë e të dëmtuarit L.N, e cila i është besuar për shkak të pozitës së tij.

Aktakuza thotë se i pandehuri Perdedaj përmes user-it të kolegut të tij të punës, ishte futur në sistem duke përdorur të dhënat personale të të dëmtuarit L.N (përfitues i asistencës sociale) dhe ka bërë tërheqjen e mjeteve monetare të asistencës sociale në shumën prej 300 euro, po ashtu duke nënshkruar në emër të të njëjtit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri këto të holla i dorëzon pasi i janë kërkuar nga koordinatorja regjionale e Postës së Kosovës dhe atë pas rreth 20 ditësh, më (21 tetor 2022) pas raportimit të rastit në Qendrën për Punë Sociale në Gjakovë.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Përvetësimi në detyrë”, nga Neni 418, paragrafi 1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.