Bordi: Reforma në RTK ka nisur dhe do të vazhdojë

Bordi: Reforma në RTK ka nisur dhe do të vazhdojë

Aktuale September 13, 2023 - 14:47

Bordi i RTK-së, nëpërmjet një komunikate, ka ritheksuar përcaktimin e qartë që transmetuesi publik ka filluar dhe do të vazhdojë me procesin e reformimit, fuqizimit të kredibilitetit dhe rritjes së prodhimit.

“Në këtë rrugëtim jo të lehtë, nuk ka vend për sulme, shpifje, insinuata, por bashkim forcash në misionin e përbashkët dhe për ta bërë RTK-në lider në tregun medial në Kosovë. Për këto procese kemi qenë të hapur për debat, kemi hapur mbledhjet e Bordit duke ofruar transparencë të plotë për herë të parë në RTK, kemi zhvilluar shumë takime e kemi dëgjuar dhe adresuar pastaj në Menaxhment ankesat dhe shqetësimet e punëtorëve që kemi pranuar duke kërkuar përgjegjësi dhe llogaridhënie. Vendime të tjera në rritje të efikasitetit dhe përgjegjësisë në punë do të merren në vazhdimësi. Ne jemi të vetëdijshëm për kontributin e punëtorëve, prandaj si hap i parë dhe bazik, kemi kërkuar nga Menaxhmenti që të aplikojë raportimin mujor, për aktivitete ditore në mënyrë që vlerësimi vjetor i punëtorëve të bazohet në të dhëna të matshme dhe në mënyrë që të rritet llogaridhënia ndaj publikut, të cilit RTK i takon”, thuhet në komunikatë.

Sipas Bordit, në këtë kohë është qartazi e dukshme se ka fushatë kundër Bordit nga grupe të ndryshme të interesit, brenda dhe jashtë RTK-së, me qëllimin e vetëm, arritjen e synimeve të shpërfaqura hapur për të ndikuar në punën e transmetuesit publik.

"Sfida jonë e përbashkët në RTK është reformimi, financimi i qëndrueshëm dhe prona, prandaj jemi të fokusuar në këto çështje kruciale që do të përcaktojnë të ardhmen e RTK-së, si lider i pakontestueshëm medial. Për fund, Bordi është i hapur siç ka qenë që nga 16 dhjetori 2021 që të diskutojë çdo çështje, ndërsa mirëpret kritikat objektive që kanë për qëllim avancimin e transmetuesit publik”, thuhet në komunikatën e Bordit të RTK-së.