Dyfishohet numri i kosovarëve në Gjermani, shifra arrin në 542 mijë persona

Dyfishohet numri i kosovarëve në Gjermani, shifra arrin në 542 mijë persona

Aktuale September 13, 2023 - 11:24

Migrimi i qytetarëve të Kosovës për një jetë më të mirë ka vazhduar me vite të tëra. Sipas statistikave të vitit 2022, vetëm në Gjermani jetojnë 542 mijë qytetarë që kanë sfond nga Kosova, nga të cilët 330 mijë kanë lindur në Kosovë.

Këto statistika i ka publikuar Instituti GAP në raportin “Migrimi i kosovarëve në Gjermani: Analizë statistikore”, në të cilin analizon të dhënat e emigrimit të kosovarëve në Gjermani duke përdorur rezultatet e mikrocensusit të vitit 2022 të Zyrës Federale të Statistikave të Gjermanisë për vitet 2010 – 2022.

“Nga këta 542 mijë persona, 289 mijë (53%) janë burra ndërsa 254 mijë (47%) janë gra. Nga krahasimi i të dhënave të vitit 2022 me ato të vitit 2010, konstatohet se numri i qytetarëve me origjinë nga Kosova që jetojnë në Gjermani pothuajse është dyfishuar”, thuhet në raport.

Në një periudhë kohore 12 vjeçare shënohet rritje nga 291 mijë në 542 mijë, që rezulton në 251 mijë (86%) më shumë persona me sfond migrimi nga Kosova, thuhet në raport.

“Në vitin 2021, 21,468 persona kanë hyrë nga Kosova në Gjermani, dhe 4,323 persona me origjinë nga Kosova janë larguar nga Gjermania ku migrimi neto në këtë vit ishte 17,164 persona. Në mikrocensusin e vitit 2022, 110 mijë persona deklaruan se bashkimi familjar është arsyeja kryesore e emigrimit të tyre nga Kosova në Gjermani; 85 mijë persona deklaruan se arsyeja kryesore është arratisja, azil-kërkimi dhe mbrojtja ndërkombëtare; 64 mijë persona deklaruan si arsye punësimin; ndërkaq, 41 mijë të tjerë emigruan për të krijuar familje”, thuhet në raport.

Të dhënat e vitit 2022, sipas raportit, tregojnë se nga gjithsej 330 mijë persona të lindur në Kosovë, mosha mesatare në kohën kur ata emigruan në Gjermani ishte 22 vjeç. Po ashtu, nga 264 mijë kosovarë aktivë në tregun e punës në Gjermani, 251 mijë janë të punësuar, ndërsa 13 mijë janë të papunë.

Raporti i Institutit GAP përmban edhe të dhëna tjera, si për edukimin, ndarjen sipas grupmoshave, strukturën familjare, të hyrat mujore, etj.

Numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, deri në fund të vitit vlerësohet të jetë mbi 900 mijë banorë.