Rasti i ish-krerëve të UÇK-së, dëshmitari ka korrigjuar deklaratat
Një ish-anëtari i LDK-së, njëherësh ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të dytën ditë me radhë dëshmoi në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi.
Ai u mor në pyetje në lidhje me pozicionin që kishte Thaçi atëkohë, derisa gjatë dëshmisë së tij u bë e ditur se dëshmitari ka korrigjuar deklaratat e dhëna më herët. Por, identiteti i tij u mbajt i fshehtë.
Në Dhomat e Specializuara në Hagë, për të dytën ditë me radhë ka dëshmuar dëshmitari 24 në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.
Dëshmitari ishte anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës e komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por që identiteti i tij u mbajt i fshehtë. Ai u mor në pyetje në lidhje me pozicionin e Hashim Thaçit e strukturat komanduese të UÇK-së.
Ndërkaq, gjatë dëshmisë së tij u bë e ditur se dëshmitari ka korrigjuar deklaratat e dhëna më herët.
“Dokumenti në të majtë është në shqip, në të djathtë është anglisht. Këto janë dokumente që i referohen intervistës tuaj më 10 janar 2020. A ju kujtohet kjo intervistë? A ju kujtohet që ju dha mundësia që të jepni sqarime ose korrigjime për deklaratat që keni dhënë gjatë takimit që bëmë disa ditë përpara?”, pyet James Pache, prokuror i rastit, raporton rtk.
“Besoj që po”, thotë dëshmitari
“Duke marrë parasysh korrigjimet, deklarata e mëparshme a pasqyron në mënyrë të saktë atë që do të thoshit nëse do të pyeteshit për ngjarjet që reflektohen në këtë dokument”, tha James Pache, prokuror i rastit.
“Besoj se plotësimet kanë plotësuar pjesën e parë dhe ato plotësime janë të sakta”, tha dëshmitari.
Ndërkaq, dëshmitari tha se ish-presidenti Thaçi ka punuar krah për krah me LDK-në për të mirën e Kosovës.
“Pra gjatë gjithë kësaj kohe Thaçi ka punuar krah për krah me ju dhe LDK-në për të mirën e Kosovës apo jo”, tha Gregory Keohe, avokat i Hashim Thaçit.
“Po”, tha dëshmitari.
Sa i përket Kadri Veselit, dëshmitari tha se gjatë viteve të 98-99-ta nuk kishte dëgjuar për të.
Në mënyrë që të mbrohet dëshmitari, prokurori i rastit kërkoi që seanca të mbahej privatisht.