Tahiri kritikon Kurtin për qasjen në dialogun me Serbinë
Foto: Laura Hasani

Tahiri kritikon Kurtin për qasjen në dialogun me Serbinë

Aktuale September 12, 2023 - 16:42

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për qasjen në dialogun me Serbinë.

Tahiri përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka thënë se Kurti për më shumë se dy vjet e ka përdorur dialogun si formë për zhvendosjen e vëmendjes publike nga sfidat dhe problemet e brendshme, raporton Zeri.info.

Postimi i plotë:

Për më shumë se dy vjet, Kryeministri Kurti ka përdorur dialogun si formë për zhvendosjen e vëmendjes publike nga sfidat dhe problemet e brendshme. Kjo qeveri në emër të shtrirjes së sundimit të ligjit dhe sovranitetit në komunat veriore, prodhoi efektin e kundërt nga ky synim dhe proklamim, i bëri subjekt ndërkombëtar zgjedhjet lokale si dhe vet funksionimin operativ të institucionit policor.

Si për secilin shtet të konsoliduar, është e ditur që fuqia e vërtetë e një vendi në rrafshin e jashtëm, qoftë rajonal ose ndërkombëtar, qëndron pikërisht në logjikën e kundërt nga logjika e kësaj qeverie. Nuk mund të kesh pozicion të fortë përfaqësues dhe dialogues, kur nuk keni qeverisje efikase dhe zhvillimore.

Kjo qeveri dhe udhëheqësi i saj, për më shumë se dy vjet, përmes taktizimit arriti ta prish koncensusin perëndimor për epilogun përfundimtar dhe dinamikën e dialogut. Serbia doli përfituese dhe arriti të shmang sanksionet, dhe nga një agjendë madhore me interes strategjik, arriti të vendos në tavolinë temat si zgjedhjet, depërshkallëzimi, sekuencimi. Serbia pra përfitoi nga polarizimi i opinionit ndërkombëtar.

Kjo qeveri përmes taktizimit në dialog, thjesht, e zëvëndësoi një populizëm opozitar me një populizëm qeveritar.

14 shtatori është taktika e tij e rradhës!