Kurti: Studentet në fushat STEM në UP deri në 50%, në BE 17%

Kurti: Studentet në fushat STEM në UP deri në 50%, në BE 17%

Aktuale September 12, 2023 - 16:38

Kryeministri i vendit Albin Kurti, ka vizituar Qendrën e Trajnimeve “Infinit” prej nga ka shpalosur mbështetjen e Qeverisë për studimet në fushat STEM. Ai ndau certifikatat mirënjohëse medalistëve të Olimpiadës Ndërkombëtare STEM që u mbajt në Paris të Francës.

Kurti tha se Ministria e Arsimit ka rritur përkrahjen e vajzave për studime në këto fusha, teksa ka ndarë 1382 bursa për studente vetëm në vitin 2022. Pjesëmarrja e vajzave në studime në fushat STEM në Universitetin e Prishtinës është në masën 50%, ndërsa në vendet e Bashkimit Evropian është 17%.

“Në prill të këtij viti ministria ka mbajtur konferencën e parë kombëtare për gra dhe vajza në STEM, të quajtur STEMinists, ku i ka bashkuar dhjetëra studente, profesoresha, shkencëtare e profesioniste kosovare të fushave STEM, të cilat operojnë në Kosovë dhe në botë. E organizuar nën patronatin e Zyrës sime, kjo konferencë ishte përmbushje e premtimit të Qeverisë sonë për stimulimin dhe promovimin e vajzave dhe grave në STEM. Aty u krijuan edhe kushtet për rrjetëzimin e vajzave e grave në këto fusha dhe për mundësinë për punë praktike në mentorim dhe zhvillim profesional”, tha kryeministri Kurti.

Më tej kryeministri tha se në Kosovë janë rreth 1500 kompani në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe të Komunikimit dhe se shumica dërmuese e tyre eksportojnë shërbime.

Zëvendësministri i Arsimit, Taulant Kelmendi, tha se fakti që nga 22 shtete pjesëmarrëse, nxënësit e shkollave vendore për herë të parë morën pjesë në këtë garë dhe arritën të fitojnë gjithsej 14 medalje është sukses. /rtk