Edhe dy dëshmitarë në rigjykimin ndaj Jeton Menxhiqit, i akuzuar për tenderin me rroba në Polici
Foto: Laura Hasani

Edhe dy dëshmitarë në rigjykimin ndaj Jeton Menxhiqit, i akuzuar për tenderin me rroba në Polici

Aktuale September 12, 2023 - 14:05

Në rigjykimin ndaj ish-zyrtarit policor Jeton Menxhiqi, i akuzuar për tenderin me rroba në Polici, është aprovuar propozimi i prokurores Fitore Sadikaj për dëgjimin e dy dëshmitarëve, hetuesit të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), Bekim Hoxha dhe drejtorit të IT-së, të Policisë së Kosovës Gazmend Krasniqit.

Një propozim të tillë prokuroja Sadikaj e bëri pasi që kryetarja e trupit gjykues kërkoi nga e njëjta të tregonte se në çfarë baze ligjore dhe se a kishte urdhër për nxjerrjen e pamjeve në CD-të e propozuara si prova.

“Ashtu siç ju thashë edhe më herët, Policia e Kosovës është një vend publik dhe nxjerrja e videoincizimeve në vende publike nuk kërkon urdhëresë nga gjykata. Mirëpo për ta sqaruar këtë rrethanë edhe pse unë nuk e shoh të arsyeshme pasi që gjithçka është e qartë dhe në kuadër të ligjit por nëse ju e shihni të arsyeshme mund t’i ftojmë hetuesin e rastit dhe ai do t’ua shpjegoj lidhur me këtë rrethanë”, tha prokurorja Sadikaj.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Menxhiqi , avokati Naim Rudari tha që sipas tij, ishte jo relevante dëgjimi i dëshmitarëve Hoxha dhe Krasniqi për shkak që as ata nuk mund të jepnin bazën ligjore të asaj prove përderisa nuk e kishte as vet prokuroria.

Paraprakisht në këtë seancë ishte bërë prezantimi i provave materiale të paraqitura si në aktakuzë nga prokurorja Sadikaj.

Provat e paraqitura ishin: dosja e tenderit për kontratë publike, vendimi mbi caktimin e anëtarit të komisioni, tranksripta nga videoincizimi i dy CD-ve, shkresa, aneksi 1, specifikimet teknike të detyrueshme, shkresë e punës së komisionit të operatorit ekonomik “Artius Group”, raporti i ekspertizës nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë dhe njoftimi për anulimin e aktivitetit të prokurimit.

Lidhur me këtë, avokati Rudari tha se kishin vërejtje edhe në deklaratat e dëshmitarëve si dhe në provën transkriptat nga videoincizimi i dy CD-ve me arsyetimin se ato incizime janë nxjerr në mënyrë selektive dhe në mënyrë të kundërligjshme

Tutje avokati Rudari i propozoi gjykatës që të mos i lëshoj CD-të të shikohen si provë para se të legalizohet gjeneza dhe ligjshmëria e tyre.

Ndërsa, edhe i akuzuari Menxhiqi tha se video-incizimet të cilat prokuroria i konsideron si prova materiale, laboratori i forenzikës në raportin e tyre kishin cekur që të njëjtat prova nuk kishin zinxhir të ruajtjes.

I njëjti po ashtu tha se pajtohej plotësisht me mbrojtësin e tij që videot ishin selektive për shkak se i njëjti kur ishte futur në objekt nuk ishte incizuar ndërsa gjatë daljes ishte incizuar.

“Me një shembull konkret unë në këtë sallë apo në këtë lokal hyjë me një dokument apo me një gjë send nuk incizohem fare gjatë hyrjes, ndërsa gjatë daljes incizohem dhe e marr atë send duke dal dhe unë në këtë rast po akuzohem për marrjen e një sendi…. gjë që unë e kam pas me veti”, tha i akuzuari Menxhiqi.

Sipas të akuzuarit Menxhiqi çdo lëvizje e tij kish qenë e incizuar edhe pse të njëjtat ishin nxjerr në mënyrë selektive.

Lidhur me këtë çështje prokurorja Sadikaj tha se në këtë rast nuk kishin të bëjnë me një masë të fshehtë që të kërkohej urdhëresa nga gjykata dhe se që sipas Kodit të Procedurës Penale thuhej se organet publike detyrohet të japin ndihmën e nevojshme për hetimin e veprave penale.

Sipas të njëjtës në këtë rast Policia e Kosovës e kishte zbatuar Kodin e Procedurës Penale, duke shtuar që në këtë rast nuk duhet të harrohej fakti se kjo vepër penale kishte ndodhur në objektin e policisë nga një zyrtar policor i cili ka qenë i thirrur për parandalimin e veprave penale e jo t’i kryej ato vepra.

Ndërsa avokati Rudari tha se prokurorit të Shtetit në asnjë formë nuk i lejohej të nxjerrë prova pa urdhër të gjykatës, e sidomos në një vend ku pritet për privatësi brenda një dhome ku vlerësohen aplikimet e operatorëve ekonomikë.

Në këto rrethana seanca e sotme u ndërpre, ndërsa e radhës pritet të mbahet më 24 tetor 2023.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 21 qershor 2022, të akuzuarin Menxhiqi e kishte shpallur fajtor duke e dënuar me një vit e gjashtë muaj burgim efektiv dhe me dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratën publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 2 viteve, pas mbajtjes së dënimit me burg.

Ndaj aktgjykimi të Themelores, ankesë kishte ushtruar në Apel, mbrojtësi i të akuzuarit Menxhiqi, avokati Naim Rudari si dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë, dhe pas shqyrtimit të ankesave, më 12 dhjetor 2022, Apeli e ktheu çështjen në rigjykim.

Ndryshe, pas një muaji e gjysmë të transmetimit të emisionit “Betimi për Drejtësi” për korrupsionin në prokurimin e Policisë së Kosovës, ku ishte përfshirë zyrtari policor Jeton Menxhiqi, Prokuroria Themelore në Prishtinë, në prill të vitit 2019, kishte ngritur aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se më 8 gusht 2017, në ndërtesën e Policisë së Kosovës në Prishtinë, i pandehuri Jeton Menxhiqi, në cilësinë e personit zyrtar, si anëtar i komisionit në tenderin “Furnizim me rroba elegante”, në numër të prokurimit 214/17/048/111, i cili përfaqësonte Drejtorinë e Hetimeve Kundër Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka shfrytëzuar detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete ose personin tjetër.

Në aktakuzë thuhet se rasti ka ndodhur në atë mënyrë që në tenderin “Furnizim me rroba elegante”, i paraparë në vlerë prej 730 mijë euro, komisioni gjatë punës në përbërje nga i pandehuri Menxhiqi, Sabide Beqiri dhe Naim Lahu, pas kontrollit kishin konstatuar se asnjëri nga operatorët ekonomikë, nga tetë sa kishin konkurruar, nuk i kanë plotësuar kushtet e parapara në tender.

Gjithnjë sipas aktakuzës, atëherë i pandehuri me qëllim që t’i bëjë të mundur operatorit ekonomik “Artius Group” SHPK, që ta fitojë tenderin edhe pse nuk i kishte plotësuar kushtet, më 8 gusht 2017 derisa ishte duke qëndruar në një zyrë me çelësin mbi tavolinë dhe në mënyrë të kundërligjshme, pa prezencën e anëtarëve të tjerë të komisionit, e në kohë të pauzës shkon në Zyrën Prokurimit merr paketën e “Artius Group”, ndërron mostrat e rrobave elegante dhe i vendos mostrat e tjera, të cilat i kishte sjellë nga jashtë me një çantë krahu dhe pas pak e kthen paketën në Zyrën e Prokurimit.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri kishte vepruar në këtë mënyrë me qëllim që “Artius Group”, të fitonte tenderin në mënyrë të kundërligjshme në vlerë prej 506 mijë e 216 euro e 20 centë.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës ose autoritetit zyrtar”, nga Neni 422, paragrafi 1 i Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej 6 muaj deri në pesë vjet.

Ndryshe, i pandehuri Menxhiqi, në deklaratën e tij në Prokurori, e ka shfrytëzuar të drejtën e tij dhe është mbrojtur në heshtje. Ndërsa, sa i përket mbrojtjes së të pandehurit ku i njëjti ka dhënë deklaratë në Inspektoratin Policor të Kosovës, në aktakuzë thuhet se ka qenë kontradiktor me vetveten dhe me deklaratat e dhëna nga dëshmitarët e tjerë dhe nuk ka mundur të arsyetojë veprimet e tij, respektivisht kërkimi për qëndrim në zyre gjatë pauzës pa arsye, hyrja në zyrën e prokurimit i vetëm, marrja e mostrave të tenderit.

Ndërsa, prokuroria pretendon se ekziston dyshimi i bazuar mirë dhe posedon prova të pranueshme se vepra penale është kryer nga i pandehuri, i cili mban përgjegjësi sepse ka vepruar me dashje direkte, duke konsideruar se janë manifestuar elementet e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ndryshe, Jeton Menxhiqi njihet si polici, i cili së bashku me zyrtarin tjetër policor, Avni Namani, nën udhëheqjen e prokurorit Kujtim Munishi, kishin hetuar dosjen e manipuluar të provimit të jurisprudencës së ish-Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, rast ky që ishte mbyllur për 21 ditë të hetimit preliminar. /BetimipërDrejtësi