Anulohet vendimi për zgjedhjen e pesë anëtarëve të KD të UP-së, studentët kërkojnë të shkarkohet rektori

Anulohet vendimi për zgjedhjen e pesë anëtarëve të KD të UP-së, studentët kërkojnë të shkarkohet rektori

Aktuale September 12, 2023 - 12:34

Unioni Demokratik Studentor ka mbajtur konferencë për media, pas shpalljes së vendimit të Gjykatës Themelore ndaj padisë së tyre në rastin e votimit të anëtarëve të rinj të Këshillit Drejtues.

Festim Tasholli, sekretar i përgjithshëm i “Unionit Studentor”, tha se e veprimet në UP u udhëhoqën nga “grupe kriminale të interesit që për qëllim e kanë kapjen e Universitetit” dhe se vendimi i gjykatës vërtetoi se “Universiteti i Prishtinës ka udhëheqje joadekuate që qëllim parësor ka interesat e ngushta grupore dhe jo zhvillimin e UP-së”.

Ai ka kërkuar anulimin e të gjitha vendimeve të marra nga udhëheqja e Universitetit dhe që menaxhmenti i UP-së të japë dorëheqje për t’u hapur rrugë zgjedhjeve të përgjithshme në UP.

“Kemi pranuar aktgjykimin nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, ku aprovohet si e bazuar padia jonë ndaj Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’ në rastin e votimit të anëtarëve të rijnë të Këshillit Drejtues”.

“Më datë 24.06.2022, në mënyrë të kundërligjshme dhe me forca policore, studentët senatorë janë privuar nga e drejta e votës për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Drejtues, duke u larguar dhunshëm nga ndërtesa e rektoratit të UP-së. Të gjitha këto veprime në UP janë udhëhequr nga grupe të interesit (kriminale), të cilat për qëllim kanë kapjen e Universitetit. Tashmë është vërtetuar edhe praktikisht që Universiteti i Prishtinës ka udhëheqje joadekuate që qëllim parësor ka interesat e ngushta grupore dhe jo zhvillimin e UP-së.

U bëjmë thirrje të gjitha instancave përgjegjëse të UP-së të reflektojnë tani kur pretendimet tona janë të vërtetuara edhe me Vendim nga institucionet e drejtësisë. Pas këtij Vendimi Këshilli Drejtues i UP-së dhe menaxhmenti në tërësi më e pakta që duhet të bëjnë është dorëheqja që t’u hapet rrugë zgjedhjeve të përgjithshme në Universitetin e Prishtinës ‘Hasan Prishtina’. Gjithashtu kërkojmë anulimin e të gjitha vendimeve të marra nga kjo udhëheqësi e jashtëligjshme, duke përfshirë zgjedhjen e rektorit, sekretarit të përgjithshëm dhe Statutin e ri të miratuar”.

Gjykata e ka vlerësuar si të mangët dhe që “nuk i përmban elementet e nevojshme mbi bazën e të cilave do të duhej të ndërtohej arsyetimi”, argumentin e Senatit për vendimin për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit Drejtues.

Themelorja ka kërkuar, ndër të tjera, “riprocedurë dhe rivendosje” dhe kujdes nga Senati i UP-së gjatë hartimit të vendimit të ri. /eo