Bërnabiq: Takimi i 14 shtatorit në Bruksel do të jetë i vështirë

Bërnabiq: Takimi i 14 shtatorit në Bruksel do të jetë i vështirë

Aktuale September 12, 2023 - 10:01

Kryeministrja serbe Ana Bërnabiq ka vlerësuar se bisedimet në Bruksel në takimin e nivelit të lartë të 14 shtatorit sigurisht që do të jenë të vështira dhe se zbatimi urgjent i Marrëveshjes së Ohrit nënkupton zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit, e cila, shton ajo, nuk ekziston për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

"Sigurisht që do të ketë biseda të vështira. Një falënderim i madh për presidentin Aleksandar Vuçiq, sepse ai e mori atë barrë të madhe mbi vete dhe kështu ia bëri më të lehtë Qeverisë të punojë në gjërat që kanë të bëjnë me një jetë më të mirë për qytetarët", tha Bërnabiqi në programin e mëngjesit në RTS, transmeton Zeri.info.

Ajo shtoi se pajtohet me zbatimin urgjent të Marrëveshjes së Ohrit, që nënkupton edhe zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit, e cila çon në formimin e Asociacionit të komunave serbe.

“Kemi arritur në tremujorin e fundit të vitit 2023 dhe ende nuk kemi një ASK, as synimin e Prishtinës për të formuar një të tillë, as për të zbatuar Marrëveshjen e Brukselit. Albin Kurti thotë se “Marrëveshja e Brukselit” nuk ekziston dhe bashkësia ndërkombëtare vazhdon ta tolerojë këtë”, ka theksuar Bërnabiqi.

Ajo përkujtoi se Beogradi ka marrë garanci se Asociacioni do të formohet dhe se bashkësia ndërkombëtare ka deklaruar se nëse Kurti nuk e dëshiron, do ta formojnë vetë në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit.

“As këtë nuk e pamë, pamë krejt të kundërtën – një përshkallëzim shtesë. Përgëzime presidentit Vuçiq për gjetjen e mënyrës për të ruajtur paqen dhe stabilitetin, atë që i përshtatet popullit dhe vendit tonë, sepse paqja na lejon të kemi prosperitet shtesë, të ndërtojmë rrugët, krijoni vende të reja pune dhe prandaj është e rëndësishme për ne ta mbajmë atë”, tha Bërnabiqi. /Zëri