Kurti ia konfirmon Escobarit gatishmërinë për angazhim aktiv gjatë takimit në Bruksel
Foto: Arkiv

Kurti ia konfirmon Escobarit gatishmërinë për angazhim aktiv gjatë takimit në Bruksel

Aktuale September 11, 2023 - 20:49

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar të hënën mbrëma se ka zhvilluar një bisedë telefonike me emisarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ku kanë folur për rëndësinë e zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të saj.

Kurti me anë të një njoftimi në platformën “X”, që më herët njihej Twitter, ka bërë të ditur se në këtë bisedë e ka konfirmuar gatishmërinë e Kosovës për t’u angazhuar në negociata aktive gjatë takimit të së enjtes në Bruksel.

Ai gjithashtu ka shtuar se e ka falënderuar SHBA-në për mbështetjen e dhënë.

“Zhvillova një telefonatë me Zëvendësndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit, Escobar. Diskutuam rëndësinë e zbatimit të shpejtë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj. Konfirmova gatishmërinë time për t'u angazhuar aktivisht në negociata gjatë takimit të dialogut në Bruksel dhe e falënderova për mbështetjen e SHBA-së”, ka shkruar Kurti, përcjell Zeri.info.


Më 14 shtator, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në Bruksel do të mbahet rundi i ri i dialogut në nivel të lartë.

Ky do të jetë takimi i parë i Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që kur tensionet në veri të Kosovës u rritën në fund të majit.

Takimi i fundit mes bartësve të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë u zhvillua më 2 maj, - nëntë ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të Kosovës, të cilat janë bojkotuar nga popullata lokale serbe.

Kryetarët e rinj shqiptarë që dolën nga këto zgjedhje po kundërshtohen nga serbët lokalë. Hyrja e tyre në ndërtesat komunale në fund të majit, rriti tensionet të cilat u përshkallëzuan me dhunë më 29 maj në Zveçan, pas përleshjes së protestuesve serbë me pjesëtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it.

BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara vazhdimisht i kanë kërkuar Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet. Prishtinës i është kërkuar që të mundësojë mbajtjen e zgjedhjeve të reja, ndërkaq Beogradit që të inkurajojë serbët të marrin pjesë në votime.

Së fundi, Kosova ka paraqitur një udhëzim administrativ që u mundëson qytetarëve të largojnë kryetarët e komunave përmes një peticioni.

Kosova po ashtu po kërkon që të zbatohet Marrëveshja drejt normalizimit që arriti me Serbinë në shkurt në Bruksel. Në mars, në Ohër palët arritën pajtim për Aneksin e zbatimit të saj.

Në 11 nenet e marrëveshjes nuk përfshihet njohja reciproke për të cilën insiston Kosova, por kërkon nga Kosova dhe Serbia që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë bisedime që nga viti 2011. Kosova kërkon që në fund të procesit të arrihet një marrëveshje ku do të përfshihej edhe njohja reciproke, ndërkaq Serbia dëshiron një zgjidhje kompromisi- pa treguar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.