Osmani takon homologët nga Bosnja, kërkon ratifikimin e marrëveshjeve që mundësojnë lëvizjen pa viza të qytetarëve nga dy vendet

Osmani takon homologët nga Bosnja, kërkon ratifikimin e marrëveshjeve që mundësojnë lëvizjen pa viza të qytetarëve nga dy vendet

Aktuale September 11, 2023 - 16:52

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në kuadër të takimeve bilaterale përgjatë takimit të liderëve të rajonit të Procesit Brdo-Brijunit që po mbahet në Shkup, ka takuar anëtarët e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Zeljko Komshiq dhe Denis Beçiroviq.

Në këtë takim, ndër të tjera u diskutua ratifikimi i marrëveshjeve të Procesit të Berlinit nga Parlamenti i Bosnje e Hercegovinës, një obligim që rrjedh nga nënshkrimi i marrëveshjeve në nëntorin e vitit të kaluar.

Siç bëhet e ditur në njoftim, Osmani ka theksuar se ratifikimi i marrëveshjeve nga ana e autoriteteve të BeH është, përveç një obligim edhe domosdoshmëri që do ta ndihmojë lëvizjen e lirë të qytetarëve të të dy shteteve që do t’i kontribuonte rritjes së komunikimit dhe shkëmbimeve ndërmjet dy popujve.

Sipas presidentes Osmani, Kuvendi i Kosovës dhe katër shtetet e rajonit kanë ratifikuar marrëveshjet e Procesit të Berlinit, njëra nga të cilat parasheh lëvizjen vetëm me letërnjoftime me Bosnjën dhe Hercegovinën, ndaj është radha që të njëjtin veprim ta bëj edhe BeH-ja.

Po ashtu, Osmani vlerësoi se lidhja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy shteteve do t`i shtonte mundësitë për thellim të bashkëpunimit bilateral në të gjitha fushat e interesit te dyanshëm.

Osmani ka theksuar se arritja e vizionit të përbashkët e të dy shteteve për të qenë pjesë e familjes euroatlantike do t`i kontribuonte paqes, stabilitetit dhe prosperitetit afatgjatë të rajonit. /Zëri