Osmani: Interes strategjik që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat nga BE-ja

Osmani: Interes strategjik që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat nga BE-ja

Aktuale September 11, 2023 - 15:15

Në Shkup është duke u zhvilluar takimi vjetor i krerëve të shteteve ballkanike në kuadër të Procesit të Bërdo Brijunit, ku është duke marrë pjesë edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Ajo në këtë takim ka mbajtur një fjalim, ku ka theksuar se Kosova është e vendosur për të vazhduar me reforma dinamike që forcojnë më tej demokracinë, mbështesin sundimin e ligjit dhe rrisin standardet e jetesës për të gjithë qytetarët, pa dallim, raporton Zeri.info.

E para e shtetit tha se është interes strategjik që Kosovës t’i jepet statusi i kandidatit për në BE në përputhje me zotimet e BE-së për perspektivë anëtarësimi për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Osmani, ndër të tjera, ka theksuar se Kosova ka shënuar hapa të ndjeshëm suksesi në disa aspekte.

“Kosova është një partnere e besueshme, një fqinje e mirë dhe një partnere që punon shumë. Prandaj, mundësia për një lëvizshmëri më të madhe të qytetarëve tanë në Zonën Schengen është gjithashtu një mundësi e madhe për t'ua vërtetuar këtë të gjithëve në BE”, theksoi ajo.

Në një pjesë të fjalimit të saj, duke qenë edhe tema të takimit të sivjetmë të liderëve, presidentja Osmani foli edhe për efektet e ndryshimeve klimatike dhe tha se Kosova është përcaktuar për ta ardhmen e gjelbër të saj. Presidentja tha se tranzicioni i gjelbër është mundësi e mirë për gjenerim të vendeve të punës, rritje të produktivitetit dhe sigurim të energjisë.

Përveç këtyre temave, presidentja ka folur edhe në raport me perspektivën e të rinjve të Kosovës, ku tha se shumica e popullsisë së Kosovës janë nën 30 vjeç dhe sipas saj kjo mundëson ndërtimin e një mjedisi me mundësi më të mëdha për zhvillim ekonomik. /Zëri