Synim yni shkatërrimi i strukturave që mundësojnë pabarazinë mes gjinive, shprehet Kurti

Synim yni shkatërrimi i strukturave që mundësojnë pabarazinë mes gjinive, shprehet Kurti

Aktuale September 11, 2023 - 15:04

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot ka marrë pjesë në një panel diskutimi në kuadër të Shkollës Verore mbi Gjininë, Ekonominë dhe Politikat, në Universitetin e Pejës “Haxhi Zeka”.

Në këtë panel u diskutua për barazinë gjinore dhe Kurti u shpreh se institucionet shtetërore janë përgjegjëse për të nxitur ndjenjën e solidaritetit midis qytetarëve.

Ndër të tjera, ai potencoi se kjo kërkon përfshirje aktive të gjithë anëtarëve të shoqërisë, raporton Zeri.info.

“Kur flasim për emancipim, nuk bëhet fjalë veç për çlirimin e grave, por edhe për edukimin e burrave. Le t'i edukojmë burrat, që ata të jenë aleatë për luftën për barazi gjinore. Gratë nuk është e thënë ta bëjnë këtë betejë vetëm. Duhet ta bëjnë bashkë me burrat, prandaj nevojitet emancipim, edukim i burrave për rëndësinë e barazisë gjinore”, u shpreh kreu i Qeverisë.

Kryeministri Kurti në lidhje me mundësitë e barabarta përmendi se Qeveria ka dhënë disa bursa në kuadër të programit STEM - Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë, për të eliminuar një hendek social në tregun e punës.

Ndër të tjera, ai tha se synim i Qeverisë së tij është shkatërrimi i strukturave që ndihmojnë në përdorimin e pabarazisë, teksa shtoi se gratë s’duhet të kenë një vend në tryezë, por të jenë një zë i fuqishëm në vendimmarrje.

“Andaj, le të mos mjaftohemi me kaq, le të imagjinojmë një botë ku barazia, drejtësia nuk janë aspirate, por realitete të jetuara. Veprimet tona le të udhëhiqen nga parimet e barazisë ekonomike e të solidaritetit shoqëror, lirive dhe të drejtave, përfshirjes dhe pjesëmarrjes aktive”, përfundoi ai. /Zëri