Zemaj: Qeveria e ka shkelur Kushtetutën katër herë, s’dihet nëse i votojmë marrëveshjet ndërkombëtare
Foto: Laura Hasani

Zemaj: Qeveria e ka shkelur Kushtetutën katër herë, s’dihet nëse i votojmë marrëveshjet ndërkombëtare

Aktuale September 11, 2023 - 13:41

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, tha se pozita nuk ka disponim që të mbahen seancat e Kuvendit

Sipas tij, Qeveria e ka shkelur që katër herë Kushtetutën dhe po e dëmton vendin me vendimet e marra. Ai madje ka thënë se në seancën e radhës do të iniciojnë formimin e Komisionit hetimor për rezervat shtetërore. “Kërkesa e LDK-së bashkangjitur edhe 41 deputetë të Kuvendit për formimin e Komisionit hetimor parlamentar për rezervat shtetërore do të jetë një temë e veçantë në seancën e 21 shtatorit të këtij viti. Pozita nuk ka disponim për seanca kuvendore”.

“Me një fjalë, kjo është pjesa kryesore që dëmton demokracinë. Nuk është për t’u çuditur. Qeveria që katër herë e ka shkelur Kushtetutën gjatë kësaj periudhe. Do të ketë debat për formimi e këtij Komisioni dhe do të qartësohen procedurat. Ne do të jemi kogja koshient në këtë sezionin vjeshtor për temat që janë të rëndësisë së veçantë”, tha ai.

Zemaj tha se LDK-ja do ta vlerësojë sjelljen e Qeverisë dhe pastaj do të vendosë nëse do t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare.

Ai tha se në takimin e 14 shtatorit në Bruksel nuk kanë pritje për Kosovën, sipas tij, derisa nuk ka biseda për njohje reciproke, kjo është vetëm një gracë e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, raporton EO.

“Ju e dini që LDK-ja ka përkrahur marrëveshjet ndërkombëtare, nuk ka përkrahur ato sa për sy e faqe. Marrëveshjet e tjera atëherë kur nuk e kanë marrë votën e LDK-së ka qenë për shkak të sjelljes së kësaj qeverie. Karshi kësaj sjelljeje do të jenë edhe vendimet”.

“Nuk mendoj që as ne të kemi pritje mendoj që shpërfaqja e atyre incizimeve e ka treguar edhe procesin e dialogut. Derisa nuk ka bisedë për njohje reciproke, kjo është vetëm një lojë në grackën e Vuçiqit, ku po shihet se Serbia është e favorizuar e Kosova në sanksione”, tha ai.