Osmani takohet me Pendarovskin, flasin për anëtarësimin e Kosovës në NATO

Osmani takohet me Pendarovskin, flasin për anëtarësimin e Kosovës në NATO

Aktuale September 11, 2023 - 12:50

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të Samitit të Bërdo Brijunit ka zhvilluar një takim me nikoqirin e takimit, presidentin e Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski.

Bëhet e ditur se në këtë takim Osmani ka rikonfirmuar përkushtimin e institucioneve të Kosovës për vazhdimin e marrëdhënieve të shkëlqyeshme e të qëndrueshme me Maqedoninë e Veriut dhe potencoi se të dy shtetet kanë vizion të përbashkët për një Ballkan Perëndimor stabil dhe të integruar në strukturat euroatlantike, raporton Zeri.info.

Ndër të tjera, ajo shtroi nevojën e vazhdimit të mbështetjes nga Maqedonia e Veriut për anëtarësim të Kosovës në organizata ndërkombëtare, duke falënderuar këtë shtet për përkrahjen e deritanishme.

“Presidentja Osmani tha se me mbështetjen e shteteve mike Kosova mund të arrijë avancim përmbajtësor në procesin e anëtarësimit në BE dhe në NATO dhe se ecja përpara e vendit tonë në këtë rrugë i kontribuon edhe paqes dhe stabilitetit afatgjatë në rajon”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu presidentja Osmani njoftoi homologun e saj Pendarovskin me hapat e ndërmarrë nga Kosova për shtensionim të situatës në veri të vendit dhe theksoi nevojën e një përgjigjeje të unifikuar kundër përpjekjeve destablizuese të satelitëve të Rusisë, si dhe kundër grupeve të krimit të organizuar. /Zëri